Ramadani: Nuk kishte dorëheqje nga ana ime!

Futboll

Ramadani: Nuk kishte dorëheqje nga ana ime!

Nga: Kemajl Goca Më: 14 shtator 2017 Në ora: 13:13
Zekirija Ramadani

Trepça ’89 nga Mitrovica, kampion në fuqi i Kosovës në futboll, ka mbetur pa kryetrajner. Zekirija Ramadani nuk është më kryetrajner i kësaj skuadre. Ramadani me prejardhje nga Shkupi tregon të vërtetën se kishte dhënë dorëheqje me dëshirë apo ishte urdhëruar nga presidenti i klubit. Në fakt, Trepça ’89 në katër ndeshjet e para ka regjistruar dy fitore e dy humbje duke u renditur në vend të gjashtë me 6 pikë apo ka dy me pak se lideri i tabelës, Feronikeli. Nëse shikohet kjo, suksesi nuk ka munguar, por largimi i Ramadanit vjen kryesisht pas humbjes në Gjilan me rezultat 2:1 nga debutuesi Vllaznia nga Pozherani. Ramadani në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, tregon se si ka ardhur deri të dorëheqja. Ai flet se ka apo jo rritje të nivelit të futbollit tonë dhe a dallon shumë me Kampionatin Shqiptar dhe atë të Maqedonisë, si dhe a pritet të angazhohet diku tjetër si kryetrajner.

“Bota sot”: Me Trepçën '89 kampion, pas gjashtë muaj e me tepër largoheni, një dorëheqje e papritur?

Zekirija Ramadani: At që dolëm kampion është sukses i të gjithëve dhe e imja, si dhe normal që kur ka sukses ekipi merita kanë të gjithë, por ato kryesorët janë futbollistët. Kurse kur nuk shkon ashtu si duhet atëherë fajtori kryesor është vetëm trajneri dhe nuk mundet të largohet krejt ekipi, por vetëm trajneri.

“Bota sot”: Është vetëm fillimi i edicionit të ri, dy fitore e dy humbje, dy pikë larg kreut, a mendoni se ka qenë mossukses?

Zekirija Ramadani: Unë nuk mendoj që është mossukses, se të gjitha skuadrat që janë pretendent për titull nuk e kanë nisur mirë kampionatin, por a kemi mundur më mirë? Jam i bindur se po, mirëpo dy pikë larg vendit të parë nuk është asgjë, sidoqoftë ky është vendim i presidentit dhe unë e respektoj vendimin e tij. Prandaj,  koha do të tregon se a veproi mirë a jo, shpresoj që ka vepruar mirë dhe vazhdojnë me suksese.

“Bota sot”: Ky ka qenë vendim i presidentit të klubit që Ju duhet të jepni dorëheqje?

Zekirija Ramadani: Presidenti më është falënderuar për punën e bërë deri tani dhe se nuk ka nevojë më për punën time dhe normal që pranova vendimin e tij,  dhe ju falënderova për besimin e deritanishëm. Nuk kishte dorëheqje nga ana ime, se janë vetëm katër ndeshje, dy pikë larg kreut.

“Bota sot”: A jeni i zhgënjyer?

Zekirija Ramadani: Jo, nuk mund të jem i zhgënjyer se kryesia është që vendos për ta dhënë besimin dhe po ajo është për të të larguar. Ata bëjnë politikën e klubit, unë bëj punën time. E tash, a është veprim i drejt a jo, këtu më së miri ju gazetarët, analistët mund ta vlerësoni edhe ia lëmë kohës.

“Bota sot”: Si e sheh futbollin në Kosovës në përgjithësi, pasi keni përvojë si trajner në Maqedoni po ashtu edhe në futbollin shqiptar?

Zekirija Ramadani: Futbolli i Kosovës është në ngritje, e them me plot garanci, duhet të përmirësohen disa gjëra në infrastrukturë dhe shkollimi i trajnerëve nëpër seminare të ndryshme, se trajnerët janë ata që duhet ta rritin kualitetin e futbollit të Kosovës.

“Bota sot”: A do të vendosni së shpejti për ta drejtuar ndonjë ekip?

Zekirija Ramadani: Normal që po, unë jam i ri në moshë dhe nuk me duhet të pushoj aspak, por nëse vjen ndonjë ofertë e konsiderueshme, patjetër që do ta vazhdoj punën. Jam profesionist, e bëj këtë punë me pasion të madh dhe gjithkund do të jap maksimumin, në çdo skuadër që do të punoj.

“Bota sot”: A dallon cilësia e futbollit të Kosovës shumë me atë të Shqipërisë dhe të Maqedonisë?

Zekirija Ramadani: Për momentin dallon, por nëse përmirësohen disa kushte shumë shpejt mund të arrihet cilësia e njëjtë si në Shqipëri si në Maqedoni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat