Daja i beson Bruno Ditës në ndeshjen kundër Dinamos së Kievit

Futboll

Daja i beson Bruno Ditës në ndeshjen kundër Dinamos së Kievit

Më: 15 shtator 2017 Në ora: 06:40
Bakary Nimaga

Trajneri i Skënderbeut i beson Bruno Ditës nga minuta e parë në ndeshjen kundër Dinamos së Kievit. Do të jetë mesfushori Dita që do të bëjë Nimagën në fushë, duke zëvendësuar kështu një nga lojtarët më të mirë të Skënderbeut në ndeshjet Europiane që do të mungojë për shkak kartonash.

Skënderbeu mbylli sot në stadiumin Olimpiski të Ukraiës përgatitjet për ndeshjen ndaj Dinamos së Kievit, ndërkohë që sot pas seancës së fundit stërvitore trajneri Ilir Daja duket se ka piketuar në pjesën më të madhe edhe 11-shin e titullarëve që do të nisë nga starti ndeshjen ndaj Dinamos. I vetmi që mungon në këtë takim për trajnerin ilir Daja është mesfushori malien Bakary Nimagës i pezulluar për shkak të kartonit të kuq që mori në Elbasan Arena në takimin e kthimit ndaj Dinamos së Zagrebit.

Mungesa e Nimagës e ka vënë disi në siklet trajnerin e Skënderbeut pasi malieni ishte një pikë e fortë e lojës në ajër për Skënderbeun duke parë që kundërshtari është i mbushur me shtatlartë. Për këtë arsye duket që më i favorizuar për ta nisur si titullar këtë takim është Bruno Dita për shkak të karakteristikave të ngjashme të lojtarit durrsak me atë të Nimagës. Një gjë e tillë është provuar nga trajneri edhe seancën e fundit stërvitore atje ku me dyer të mbyllura Daja ka testuar edhe formacionin e titullarëve pa më të voglën mëdyshje. Kapiteni Orges Shehi do ta nisë nga parta dhe kjo është një siguri për Skënderbeun.

Të përcaktuar janë edhe reparti difensiv i ekipit që do të formohet nga katërshja e zakonshme teksa Vangjeli nga e djathta dhe Mici nga e majta do të bëjnë krahët ndërsa Radas e Jashanica do të jenë qëndra e mbrojtjes. Diga para mbrojtjes do të rikthehet edhe një herë të bëhet nga Tefik Osmani, që është futbollisti më i freskët i ekipit të Skënderbeut, pasi nuk luajti në ndeshjen e javës së parë ndaj Flamurtarit. Në mesfushë Sabjen Lilaj është titullari i padiskutuar në këtë takim ndërsa shok i repartit me shumë mundësi do të jetë Bruno Dita. Mesfushori i ardhur nga Teuta duket më i përshtatshmi edhe për skemën e trajnerit bardhekuq për shkak të tipit të lojës së ngjashme me atë të Nimagës.

Të spostuar nga krahët do të jenë padyshim Gavazaj nga e djathta dhe Xhejms nga e majta që do të kompletojnë repartin. Edhe në majë të sulmit nuk diskutohet që do të jetë Ali Soue. Formacioni i mundshëm i Skënderbeut :Skema 4-1-4-1 Shehi Vangjeli Radas Jashanica Mici Osmani Gavazaj Lilaj Dita Xhejms Soue. Trajneri i Skëndërbeut, Ilir Daja është koshient se në Ligën e Europës e presin sfida mjaftë të vështira, por tregon se Skënderbeu nuk është rastësisht në grupe dhe do t’i provojë të gjitha shanset e mundshme. Në një prononcim për “Supersport” tekniku tiranas ka folur me superlativa për sulmuesin Ali Soue duke u shprehur i kënaqur për atë çka ka treguar në fushën.

Shanset e Skënderbeut në Europë

“Jemi koshient që të gjithë ekipet që kemi në Kupat e Europës janë me një koeficient të lartë vështirësie, akoma më shumë edhe ndeshja që kemi në Kiev ndaj Dinamos që është në vazon e parë në short që do të thotë se kualiteti dhe cilësia e kundërshtarit janë në një shkallë më superiorë por futbolli është një sport subjektiv ku shpresohet gjithmonë.

Ne kemi një rrugëtim në fazën e grupeve te Ligës së Europës dhe nuk jemi rastësisht kështu. Do provojmë shanset tona duke pasur fatin me vete. Duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë cilësinë e lojërave dhe të përballemi mirë në grupet e Ligës së Europës, por pse jo të shohim ndeshje pas ndeshje se çfarë jemi në gjendje të bëjmë praktikisht.”

Për Ali Soue

“Një sulmues matet me gola dhe asiste. Pavarësisht se Soue nuk ka shkuar te goli, në ndeshje e fundit kanë qënë dy veprimet e tij, qoftë në marrjen e penalltisë qoftë në asistin për Muzakën që do të thotë është në rrugën e mbarë.

Nëse i shërben ekipit, mund t’i shërbejë qoftë me gol, qoftë me shërbime për pasin e fundit gjë të cilën e ka bërë. Shpresoj të thyej akullin për sa i përket golave. Është një forcë e shtuar brenda ekipit, shpresoj të vazhdojë në këto nivele.”

Rivalët dhe objektivat

“Kemi luajtur vetëm një ndeshje në kampionat. Ne si objektiv kemi fitimin e titullit kampion dhe ky është fokusi i të gjitha energjive tona, psiko-fizike, por paralelisht kemi edhe një paraqitje sa më të mirë në Ligën e Europës.”

Kartonët e kuq mbeten në fuqi, Nimaga mungon në Kiev

Skënderbeu do të luajë pa një prej yjeve të skuadrës, në ndeshjen e parë të grupeve të Europa League, në fushën e Dinamos së Kievit. Bakari Nimaga do të jetë mungesa e vetme e korçarëve për sfidën e kësaj të enjteje në stadiumin “Olimpiyskiy”. Shkak është bërë kartoni i kuq, me të cilin mesfushori nga Mali u ndëshkua në ndeshjen e kthimit në fazën play-off përballë Dinamos së Zagrebit. Për fazën e grupeve, UEFA i anulon të gjithë kartonët e verdhë të marrë gjatë sfidave kualifikuese, por ky rregull nuk aplikohet edhe për kartonët e kuq. Gjatë rrugëtimit europian të korçarëve, në këtë sezon 22-vjeçari ka shënuar golin e barazimit në fushën e Kairatit, ndërsa më 5 Nëntor të vitit 2015 realizoi golin që vulosi triumfin historik 3-0 të Skënderbeut përballë Sportingut të Lisbonës.

Nimaga vlerësohet si një prej xhevahirëve të skuadrës dhe mendohet se pas paraqitjeve në arenën ndërkombëtare klubi mund ta shesë për ofertën më të mirë financiare. Në fushë nga minuta e parë për skuadrën e Ilir Dajës pritet të rikthehet Tefik Osmani, që fundjavën e kaluar mungoi në debutimin me fitoren 2-0 në kampionat përballë Flamurtarit, për shkak të pezullimit nga Komisioni i Displinës. Balotazh do të ketë për zëvendësuesin e Nimagës, përkrah Lilajt në qendër të mesfushës, ndërsa Ali Soue do të jetë “asi nën mëngë” i trajnerit Daja, për të synuar surprizën në Kiev, pavarësisht se luhet përballë një prej gjigandëve të futbollit europian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat