Olimpiakos lë përsëri pikë rrugës, në Greqi fillojnë “pëshpërimat” për shkarkimin e Hasit

Futboll

Olimpiakos lë përsëri pikë rrugës, në Greqi fillojnë “pëshpërimat” për shkarkimin e Hasit

Më: 17 shtator 2017 Në ora: 07:20
Besnik Hasi

Ka mjaftuar një javë që situata e Besnik Hasit te Olimpiakosi të ndryshojë në mënyrë drastike, aq sa trajneri shqiptar të shihet tanimë si shumë i rrezikuar për t’u shkarkuar nga detyra. I pritur me shumë mosbesim, Hasi arriti të tregonte me rezultatet në Ligën e Kampioneve se e meritonte plotësisht mundësinë të drejtonte këtë klub, duke e kualifikuar me meritë në fazën në grupe të turneut.

Por barazimi i fundjavës së kaluar në kampionat me Ksanthin, i shoqëruar me humbjen në shtëpi në ndeshjen e parë të grupeve të Ligës së Kampioneve përballë Sporting Lisbonës e më pas ndalesa e sotme në barazimin 1-1 me Asteras Tripoli, kanë vënë në dyshim vijueshmërinë e teknikut. Sipas “gazzetta.gr”, drejtuesve të klubit nuk po u pëlqen shumë kjo ecuri e ekipit e sidomos fakti që Hasi ka lënë jashtë skuadre emra si Miliç, një nga blerjet e merkatos së verës.

Ndaj mendohet se ajo që do të tregojë në dy ndeshjet e ardhshme, derbin me AEK në kampionat dhe duelin kundër Juventusit në Ligën e Kampioneve, do të përcaktojë edhe fatin e trajnerit shqiptar që ndërmori këtë sfidë shumë të vështirë për të drejtuar në një klub problematik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat