“Tifozat Kuq e Zi”, letër publike Lorik Canës

Futboll

“Tifozat Kuq e Zi”, letër publike Lorik Canës

Më: 22 shtator 2017 Në ora: 11:16
Lorik Cana

FSHF-ja njoftoi dje se para ndeshjes Shqipëri-Itali do të zhvillohet ceremonia speciale e lamtumirës së Lorik Canës. Në fakt, ish-kapiteni kuqezi ka një vit që e ka lënë futbollin, por për arsye të ndryshme është konverguar në këtë pikë, që ndaj Italisë, ku ka luajtur me Lazion, “ti varë këpucët në gozhdë” zyrtarisht. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, por problem qëndron te “Tifozat Kuq e Zi”. Ata kanë përsëritur se e bojkotojnë kombëtaren në ndeshjet në shtëpi, për shkak të trajtimit jo si duhet nga ana e drejtuesve dhe e policisë. Në kushte të tilla, ata nuk mund të jenë as ndaj Italisë, prandaj i kanë kërkuar publikisht Lorik Canës që ta shtyjë këtë lamtumirë, në mënyrë që të jenë edhe ata në stadium. Ja letra publike për ish-kapitenin:

“I dashur kapiten. Marrim shkas që të drejtohemi me këtë letër publike, pas lajmit për ceremoninë lamtumirëse nga futbolli, të caktuar më datë 9 tetor 2017. Përpara kësaj, dëshirojmë që në emër të të gjithë anëtarëve të grupimit TKZ (Tifozat Kuq e Zi) të të falënderojmë për çdo djersë dhe mund për të mirën e kombëtares. Kudo ku të kemi ndjekur, imazhet e tua kanë qenë ato copëzat e krenarisë, që e kanë plotësuar mozaikun e një shqiptari të mirë dhe shembull.

Siç edhe jeni në dijeni, “Tifozat Kuq e Zi”, dhe bashkë me të disa grupime të tjera tifozërike që prej 1 viti, pa dëshirën e tyre, janë në bojkot të ndeshjeve të kombëtares në shtëpi. Arsyeja ka të bëjë me keqorganizimin dhe me keqtrajtimin fizik e psikologjik që na bëhet nga policia shqiptare. Akoma në kohën kur po shkruajmë këtë letër, nuk ka ndonjë reflektim, prandaj edhe nuk mund të kthehemi në stadium derisa këto sjellje të përfundojnë një herë e përgjithmonë.

Si TKZ, si njerëz që të kemi ndjekur kudo, jo vetëm me ekipin kombëtar, kërkojmë nga ju që ta shtyni për një kohë tjetër ceremoninë e lamtumirës. Kjo për faktin se nuk mund të pajtohemi të mos jemi në stadium për të të përshëndetur dhe për të thërritur emrin tënd fort, si përherë. E dijmë që nuk është kërkesë e zakonshme, por kërkojmë që të na kuptoni drejt. Kërkesa jonë nuk ka të bëjë më ndonjë kryeneçësi, por ka të bëjë kryekëput me trajtimin tonë njerëzor dhe dëshirën për ta bërë këtë ceremoni falënderuese sa më madhështore.

Ne jemi të vendosur që bojkotin ta çojmë deri në fund, sikurse jemi të sigurtë në respektin dhe përkrahjen që na e ke dhënë gjithnjë, për të cilën gjë besojmë se as ju nuk keni dëshirë që të na shihni duke u persekutuar e keqtrajtuar. Pa marrë parasysh rrjedhën e situatës, ju keni qenë dhe do të jeni udhërrëfyes për shumë prej nesh, se si lartësohet emri i Shqipërisë dhe i shqiptarëve nëpër botë. Faleminderit kapiten!".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat