Barcelona vetëm fiton, Valverde kërkon rekordin e Martinos

Futboll

Barcelona vetëm fiton, Valverde kërkon rekordin e Martinos

Më: 24 shtator 2017 Në ora: 14:38
Valverde

Barcelona e këtij sezoni marshon me ritëm të frikshëm. Ato 2 humbje në Superkupën e Spanjës i shërbyen skuadrës së Ernesto Valverdes për të ridimensionuar forcat dhe për të shfaqur të gjithë potencialin e saj në 6 javët e para të La Ligas por edhe në debutimin në grupet e Champions League ndaj Juventusit. 7 fitore në 7 të fundit dhe 6 nga 6 në kampionat, falë kësaj ecurie fantastike në këtë fillim sezoni,  Barca kryeson bindshëm klasifikimin me 7 pikë epërsi ndaj kampionëve në fuqi të Spanjës, Realit të Madridit. 18 pikë të grumbulluara por mbi të gjitha një goleavarazh i frikshëm 20-2 në favor, më i mirë i të gjithë historisë blaugrana. Statistikat janë të gjitha në favor të Ernesto Valverdes që ka gjetur te Lionel Messi një lider të padiskutueshëm me yllin argjentinas që në këto javë të para ngjason shumë me atë të ditëve të tij më të mira.

Me suksesin 0-3 ndaj Gironas, sfidë në të cilën Messi gjithsesi nuk shënoi, Ernesto Valverde barazoi rekordin e Pep Guardiolës dhe të ndjerit Tito Vilanova respektivisht në sezonet 2009-2010 dhe 2012-2013. Barca e Guardiolës ngeci në javën e 7-të në një barazim pa gola ndaj Valencias në Mestalla ndërsa ajo e Vilanovës u ndal me shifrat 2-2 nga Reali i Mourinhos në Camp Nou. 53-vjecari i ka marrë më të mirën Barcelonës në këtë fillim sezoni dhe tashmë Valverde është në ndjekje të rekordit të Tata Martinos që regjistroi 8 fitore në 8 javët e para dhe gaboi në javën e 9-të në një barazim pa gola ndaj Osasunës në Pamplona me shpresën që ndryshe nga argjentinasi Valverde  ta mbyllë sezonin me fitimin  e La Ligas, që në sezonin 2013-2014 kur Tata drejtonte Barcën shkoi në favor të Atleticos së Madridit. Neymar tashmë është harruar pasi Barcelona e Ernesto Valverdes funksionon si një makineri perfekte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat