Flamurtari thyen Teutën

Futboll

Flamurtari thyen Teutën

Më: 24 shtator 2017 Në ora: 19:20
Pamje nga ndeshja

Flamurtari nga Vlora ka mundur sot Teutën e Durrësit, skuadrën e vetme që kishte fituar të dyja ndeshjet e para të sezonit, pikërisht në shtëpinë e kësaj të fundit, me rezultatin 1:2, falë dygolëshit të Bushic të realizuar gjatë pjesës së parë të takimit, përkatësisht në minutën e 3’ dhe të 37’. I pamjaftueshëm ka rezultuar goli i Hilës në minutën e 76’, duke korigjuar gabimin e Lenës nga pika e bardhë e penalltisë, në një 11-metërsh të dyshimtë. Pas kësaj fitore të vështirë, Flamurtari ngjitet dhe parakalon Teutën në vend të tretë, ndonëse me pikë të barabarta me durrësakët, 6 në tre ndeshje.

Vlonjatët kanë zhbllokuar menjëherë ndeshjen duke kaluar në avantazh me gol të Bushic, që në minutën e 3’ ka shfrytëzuar maksimalisht një top të servirur nga Camara, duke e dërguar atë në rrjetë, për të ndëshkuar ish-trajnerin e tij. I njëjti protagonist ka shënuar sërish gjatë pjesës së parë, duke vendosur fatin e takimit, pasi në minutën e 37′ ka shfrytëzuar asistin e Siljanovskit, për të dërguar topin në rrjetë. Të pafuqishme kanë qenë tentativat e vendasve të cilët janë përpjekur në dy raste të godasin nga jashtë zone, por pa forcën dhe saktësinë e duhur.

Teuta i ka dhënë një tjetër ton ndeshjes gjatë pjesës së dytë duke dominuar thuajse tërësisht, me lojën të spostuar në gjysmëfushën e vlonjatëve dhe me sulme të shpejta e presion të vazhdueshëm në zonën e rreptësisë së Flamurtarit. Pikërisht falë insistimit, vendasit i janë afruar golit në minutën e 68’ kur kanë patur shansin më të mirë për të shkurtuar diferencë, me Çyrbjen që tenton të përfitojë nga dalja e portierit Nurkovic, gjuan me parabolë në drejtim të topit, por finalizon në rrjetën e jashtme. Vetëm tetë minuta më pas, në të 76’ arbitri ka akorduar një penallti të dyshimtë në favor të Teutës, për ndërhyrje të gabuar, që nga pamjet e para duket sikur ka ndodhur jashtë zonës së 16-shes. Nga pika e bardhë gabon Lena, gjuajtja e të cilit grushtohet nga Nurkovic, por Hila korigjon gabimin dhe dërgon topin në rrjetë, 1-2. Në të 86’ porta e Flamurtarit shpëton mrekullisht, pasi tentativa e Osemene neutralizohet nga mbrojtësit e ekipit vlonjat, njëlloj sikurse ndodh edhe në minutën e 90’.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat