Josa: Fitoret vijnë edhe me 1:0, jo vetëm me diferencë golash

Futboll

Josa: Fitoret vijnë edhe me 1:0, jo vetëm me diferencë golash

Më: 12 tetor 2017 Në ora: 11:08
Josa

Prishtina me ngulm kërkon titullin e kampionit në elitën e futbollit. Kryetrajneri i mirënjohur shqiptar, Mirel Josa, ka shijuar fitoren e parë në timonin e Prishtinës, duke e mundur me rezultat 1:0 Vëllaznimin nga Gjakova, në takimin e zhvilluar në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas. “Duke e mbajtur në shumicën e kohës topin në posedim, them se e merituam fitoren, por nuk do të thoshte gjë të përfundonte ndeshja edhe në barazim, sepse ne shënuam në minutën e 90-të. Ishte kjo pas ngulmimit që patëm në mënyrën se si u luajt për të qarë qendrën e kundërshtarit ku edhe bëmë dy-tre herë, me Bozhoviçin, Ahmetin apo Mankendën. Fitoret vijnë edhe me 1:0, jo vetëm me diferencë golash.

Ne duhet respektuar kundërshtarët, ata që mbrohen mirë e që luftojnë dhe këtë Vëllaznimi e pati si avantazh shumë të madh. Pra, jam i kënaqur se si qarkulluam topin, por nuk jam i kënaqur me vonimin e ndërtimit të aksioneve dhe kjo është problem që na jep shumë për të bërë. Kjo fitore na jep qetësi dy ditore, sepse menjëherë na pret ndeshje tjetër. Dhe sidomos qetësia na duhet, e këtë iu kam thënë lojtarëve, sepse një skuadre siç është Prishtina i duhet fitorja dhe për këtë duhet qetësia psikologjike. Pra kjo na duhet, s’kemi shumë kohë dhe duhet menduar vetëm për ndeshjen e ardhshme”, tha Josa për faqen e FC Prishtina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat