Lleshi thumbon Dukën dhe Vokrrin: Krijimi i Ligës Kombëtare, një ide që mbështetet nga të gjithë shqiptarët - Bota Sot
Lleshi thumbon Dukën dhe Vokrrin: Krijimi i Ligës Kombëtare, një ide që mbështetet nga të gjithë shqiptarët

Futboll

E shtunë, 16 dhjetor 2017

Lleshi thumbon Dukën dhe Vokrrin: Krijimi i Ligës Kombëtare, një ide që mbështetet nga të gjithë shqiptarët

Nga: Kemajl Goca Më: 12 tetor 2017 Në ora: 14:40
Alfred Lleshi

Krijimi i Ligës Kombëtare (Shqipëri-Kosovë) pa dyshim se do ta fuqizojë futbollin shqiptar. Alfred Lleshi, gazetar i mirënjohur sportiv, punon në “Telesport.al”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, se Liga Kombëtare, është një ide që mbështetët nga të gjithë shqiptarët. “Nuk ka pikë dyshimi se krijimi i Ligës Kombëtare të Futbollit, me pjesëmarrjen e skuadrave nga Shqipëria dhe Kosova, është një ide që mbështetet nga të gjithë shqiptarët, kudo të jetojnë e punojnë. Nëse kryeministrat e Tiranës dhe Prishtinës, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj, flasin për dogana dhe ambasada të përbashkëta, për shkrirje kufijsh në lëvizjen jo vetëm të njerëzve, por edhe të mallrave, kjo do të thotë se zgjerimi në këtë drejtim është diçka e studiuar mirë dhe që prodhon vetëm të mira për shqiptarët e dy shteteve tona në Ballkan.

Natyrisht, brenda kësaj ideje ‘makro’ mund të shihet si e brendashkruar edhe ideja ‘mikro’, që ngërthen kampionatet kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës. Pra, unifikimin e një lige të përbashkët futbolli, ku të përfshihen më të mirët, sepse edhe produkti do të jetë rrjedhimisht më cilësor, më kompetitiv, më i ndjekur në stadium dhe ekranet televizive. Kësisoji, edhe të ardhurat financiare, aq shumë të nevojshme për klubet e futbollit, do të jenë më të shumta. Sepse, në terma ekonomikë, zgjerimi i tregut sjell më shumë përfitime. Përveç çështjeve organizative dhe strukturale, që kërkojnë angazhimin e profesionistëve të ligjit dhe futbollit, koordinimit përkatës me këshillat dhe kushtëzimet e UEFA-s apo FIFA-s, mendoj se mungon dëshira e dy kryetarëve të federatave tona. Kjo është pikasur qartë edhe në ndërtimin dhe funksionimin e dy kombëtareve të futbollit, sepse secili, Duka këtej dhe Vokrri andej, preferojnë më mirë të parët e vendit në “katundin” e vet se sa bashkimin e energjive dhe potencialeve. Më së pari, këtu e shoh ‘nyjën gordiane’ të krijimit të Ligës së Përbashkët të Futbollit (Shqipëri dhe Kosovë), sepse pengesat e tjera, nëse i qas me përfitimet, janë jo vetëm të kapërcyeshme, por edhe jopërcaktuese.

Me siguri të plotë, klubet e futbollit në të dyja vendet tona dhe tifozëritë përkatëse nuk kanë asgjë kundër këtij lloj organizimi, por federatat respektive do të gërmojnë shumë për të gjetur justifikime dhe ‘yçkla’ kundër, se nuk na lejon UEFA dhe FIFA, kur në fakt mund të gjenden rrugëdalje edhe në këtë drejtim. Se çfarë mund të presësh nga krerët e futbollit këtej dhe andej kufirit, mjafton të shikosh se jemi vendet e vetme në kontinent që nuk kemi Liga Profesioniste. Pra, delegimi i kompetencave menaxhuese dhe drejtuese, i të parit të vendit, është një tipar që nuk mund ta gjesh as brendapërbrenda futbollit shqiptar e kosovar, veç e veç, dhe jo më të dyve bashkë”, thotë Lleshi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test