Duka: Panuçi është ambicioz, TKZ të rikthehet

Futboll

Duka: Panuçi është ambicioz, TKZ të rikthehet

Më: 14 tetor 2017 Në ora: 11:56
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka theksuar se kuqezinjtë zhvilluan eliminatore mjaft të mira dhe se nuk mund të bënin më tepër se arritja e vendit të tretë në tabelën e klasifikimit. Ai është shumë i lumtur me ecurinë e skuadrës nën drejtimin e trajnerit Panuçi dhe thekson se italiani është mjaft ambicioz.  “Dy ndeshjet e fundit mund të mbylleshin më mirë nga pikëpamja e rezultatit, por në total do ta konsideroja një edicion pozitiv. Kemi zhvilluar 10 ndeshje, kemi arritur një vend në klasifikim më të mirin e Shqipërisë.

Pengjet janë dy ndeshje: ajo me Izraelin në shtëpi dhe sfida e fundit me Italinë, ku mund të merrnim një pikë. Ka qenë një paraqitje e mirë, ndoshta një lojë jo e mirë, por futbolli është cinik. Duhet ta shohim në lojën e dhuruar dhe rezultat dhe në total është një punë e kënaqshme. Fatkeqësia e Panuçit dhe e stafit të tij që kishte dy kundërshtarë shumë të fortë, edhe pse ndoshta e meritonim një pikë me Italinë”, shprehet presidenti i FSHF-së. Shqipëria do të luajë në Ligën e Kombeve dhe është e vendosur në Ligën C. Presidenti thekson se duhet të ngjitemi një vazo më lart dhe të dalim të parët në grup.

“Mendoj se objektivi i Shqipërisë është jo grupi C, ku gjendemi, por grupi B. Në asnjë rast nuk mund të mendojmë të jetë në C. Ne kemi mundësi reale për të marrë pjesë në mënyrë të vazhdueshme në Europian, por ndoshta edhe në Botëror. Ndeshjet e fundit kanë konfirmuar se Shqipëria është ekip i fortë dhe kompetitiv”, thekson i bindur Duka. Sa i përket çështjes së bojkotit të Tifozave Kuq e Zi, kreu i FSHF-së thekson se ata duhet të kthehen sa më parë në stadium pasi duhet ta ndihmojmë ekipin së bashku. Ai madje thotë se FSHF-ja nuk meret me kontrollin e tifozvë por thjeshtë me organizimin e ndeshjes. Kujtojmë që TKZ ka bojkotuar të gjitha ndeshjet në shtëpi të kombëtares për shkak të kontrolleve të shumta që i bëhen tifozëve duke cënuar rëndë të drejtën e këtyre të fundit.

“Problem që kemi pasur gjatë këtij edicioni është bojkoti i i Tifozëve Kuq e Zi. Arsyet kryesore nuk varen nga Federata e Futbollit dhe nuk dua të fajësoj një institucion tjetër, sepse bëjnë detyrën e tyre. Ajo çka dëmtohet është ekipi. Duhet të tejkalosh dhe diçka që mund të të ketë cënuar, si në rastin e Tifozëve Kuq e Zi. FSHF është organizatë sportive dhe nuk siguron kontrollin apo jo të njerëzve në stadium.

Mund të kesh të drejtë, por qëllimi është dhe më i madh. E kanë mbështetur gjithmonë, ndaj uroj të ketë përfunduar ai bojkot dhe të fillojmë mbarë edicionin e ardhshëm”, shprehet presidenti Duka. Në lidhje me mos grumbullimin në kombëtare të lojtarit të Skënderbeut, Sabien Lilaj pavarësisht formës së shkëlqyer të tij, Duka thekson se kjo çështje i përket trajnerit. “Janë zgjedhje të trajnerit.

Kemi shpesh raste kur lojtarë të nivelit të lartë mungojnë sepse konkurrenti tij është akoma më lart, ndaj janë zgjedhje që varen nga momenti dhe pozicioni. Jo vetëm Lilaj, por dhe të tjerë mund të afrohen dhe në ndeshjet e nëntorit trajneri do t’i provojë”, përfundon presidenti i Federatës, Armand Duka. Shqipëria do të luajë dy ndeshje miqësore në muajin nëntor. Kundërshtari nuk është përcaktuar akoma, por me shumë mundësi mund të luajmë ndaj Norvegjisë.

Ze Maria: Duhet kujdes përballë Shkumbinit

Skuadra e Tiranës do të luajë sot ndaj Shkumbinit dhe trajneri Ze Maria thekson se bardheblutë duhet të bëjnë kujdes ndaj peqinasve. “Do të jetë një ndeshje e vështirë për ne. Ata kanë arritur të fitojnë dy nga tre ndeshjet e fundit në kampionat dhe janë tre pikë prapa nesh. Sidoqoftë ne duhet të bëjmë ata qe kemi bëri deri më tani, ekipet që duan të na surprizojnë ne nuk duhet t’i lejojmë që një gjë e tillë të ndodhë.

Nuk do të jetë një formalitet për ne. Do të shkojmë atje si Tirana, me të njejtën dëshirë për të fituar pavarësisht kundërshtarit që kemi përballë. Sigurisht pa harruar që kushdo qoftë kundërshtari duhet respektuar. Katër muaj më parë thashë që Tirana do të luftojë për të arritur të gjithë objektivat që ka përballë.

Njërin e arritëm sic ishte fitimi i Superkupës së Shqipërisë.  Në kampionat gjërat po ecin mirë”, shprehet trajneri i Tiranës, Ze Maria. Tirana udhëheq në tabelën e klasifikimit dhe ngjitja në Kategorinë Superiore është diçka formale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat