Kosova U-17 në kërkim të fitores së parë

Futboll

Kosova U-17 në kërkim të fitores së parë

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 10:52
Kosova

Kosova U-17 është në kërkim të fitores së parë dhe do të tentojë ta marrë sot kundër Hungarisë.

Selektori i përfaqësueses U-17 të Kosovës në futboll, Besnik Kollari, dhe futbollistët janë shprehur se janë të mobilizuar për ta fituar takimin e fundit në kualifikimet për kampionatin evropian “Anglia 2018”.

Kosova ndeshjen e fundit e luan sot nga ora 16:00 kundër Hungarisë në Budapest, ku edhe është duke u zhvilluar turneu kualifikues i Grupit 9.

Kosova është e vetmja e pa fitore në këtë grup, që deri më tani është mposhtur nga Holanda (3:1) dhe nga Uellsi (2:0).

“Gjatë këtyre ditëve kemi analizuar dy ndeshjet e kaluara, në mënyrë që të përmirësojmë apo të mënjanojmë dobësitë dhe lëshimet që kishim”, tha Kollari.

“Do të hyjmë në ndeshje me një angazhim maksimal që ta bëjmë më të mirën e mundshme. E dimë nivelin tonë dhe na nevojitet shumë punë në të ardhmen për të pasur një ekip konkurrues real me të tjerët”, shtoi Kollari për uebfaqen e Federatës së Futbollit të Kosovës.

“Besoj se do ta japim maksimumin dhe të arrijmë rezultat pozitiv”, ka deklaruar portieri Auron Loxha.

Ndërsa futbollisti Endrit Alija ka theksuar se humbjet nga Holanda dhe Uellsi nuk janë turpëruese.

“Do të mundohemi të japim gjithçka nga vetvetja që të dëshmojmë se jemi rival të denjë për Hungarinë”, është shprehur Alija.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat