Kushta: Skënderbeu ekipi më i mirë pas viteve ’90, korçarët duhet të kenë besim tek vetja që t’ia dalin

Futboll

Kushta: Skënderbeu ekipi më i mirë pas viteve ’90, korçarët duhet të kenë besim tek vetja që t’ia dalin

Më: 18 tetor 2017 Në ora: 19:50
Sokol Kushta

Sokol Kushta rikthehet 30 vite pas, kur u për ball me Partizanin e Beogradit. Legjenda e futbollit vlonjat, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, flet në vigjilje të ndeshjes së Skënderbeut me serbët.

Kushta i rikthehet nostalgjisë dhe emocioneve, ndërsa është i bindur se Skënderbeu mund të bëjë historinë. Ish-sulmuesi i famshëm analizon edhe javët e para të kampionatit, ndërsa thekson se Flamurtari nuk duhet të kapet pas arbitrave, ndërsa trajneri i Partizanit nuk duhet të kapet pas lojtarit të madh të Juves.

Të enjten, Skënderbeu luan me Partizanin e Beogradit. Vazhdoni ta kujtoni ende me nostalgji golin që u shënuat serbëve 30 vite më parë?

E padiskutuar që nostalgjia është pjesë e jetës dhe nuk duhet të na mungojë. Ajo është tregues se çfarë kemi bërë dhe ku duhet të arrijmë. Dhe me të drejtë e kemi, pasi t’i bëje gol një ndër ekipeve më të mira të Europës nuk është pak.

Kur kujtoni atë ndeshje në Beograd, çfarë ju emocionon më shumë?

Emocionet janë pjesë e sportit. Sidomos kur arrin një kualifikim të tillë dhe bëhesh pjesë e historisë.

A mund të bëjë Skënderbeu atë që bëri Flamurtari ndaj Partizan Beogradit?

Për sa i përket Skënderbeut, është e padiskutuar që është ekipi më i mirë pas viteve ’91. Është ekipi më i organizuar dhe me më shumë arritje. Unë e kam thënë që ky ekip i ka të gjitha  mundësitë të arrijë lartë.

Pse?

Sepse kur je në kapitalizëm ke të tjera kushte. Me dy-tre lojtarë të blerë, niveli arrin shumë herë më lart, kurse ne nuk kishim këto privilegje. Megjithatë, Skënderbeu po bën histori dhe e ka vetë nesër në dorë ta vazhdojë këtë gjë pozitive. I uroj si presidentit dhe stafit suksese dhe të mos harrojnë që ku janë tani janë në sajë të forcës së tyre dhe jo se u falur ndokush diçka.

Ju jeni i fundit shqiptar që i keni shënuar ekipit serb. Të enjten, kush mendoni se është më afër golit nga Skënderbeu? Na jepni një emër që mendoni se do të shënojë.

Goli është bukuri e ndeshjes. Në këto kushte, më i bukur bëhet sikur ta bëjë një shqiptar. Por goli do edhe fat pa dyshim.

Në fund, si e shikoni këtë kampionat pas 6 javëve? Çfarë ju ka bërë përshtypje?

Për sa i përket kampionatit shqiptar, ka filluar pak me sensacione sepse pritej që Partizani do të ishte bindës, por tregoi mangësi në javët e para dhe dy fitoret erdhën pa shkëlqimin e një Partizani të madh. Trajneri duhet të kuptojë që është trajner dhe jo një lojtar i Juves që doli kampion. Ka tjetër histori për këtë rast. Edhe Maradona ishte lojtar i madh dhe trajner nuk u bë dot.

Çfarë duhet të bëjë Iuliano?

Ai duhet të jetë më fleksibël te Partizani. Kemi tjetër mentalitet ne në Shqipëri. Skënderbeu duket në tjetër planet kështu si po luan Partizani… Flamurtari po më pëlqen, por jo ku duhet të ishte. I dëgjoj dhe nuk më vjen mirë që merrem me arbitrin, se nuk dua të bëhet çdo gjë psikologjike arbitri, por të bëjnë dy-tre gola që edhe nëse arbitri të na heqë një, ne të fitojmë.

Po Kukësi?

Kukësi është njësoj si ekip, rival i denjë. Teuta, Laçi, Vllaznia janë si gjithnjë rrezik për balancat në kampionat. Kurse për Luftëtarin më vjen keq. Nuk e di çfarë ndodhi, por për mua heqja e trajnerit ishte vetëvrasje. Nuk e di si, por një trajner është fat për ekipin. Prishi gjithë strukturën e lojës dhe pa diskutim një shkollë latine pa asnjë përvojë këtu këto rezultate do kishte. Kampionati është i gjatë, por për këto javë besoj se janë treguesit që flasin. Kamza ka qenë ekipi surprizë dhe fati ka qenë me ta. Uroj ta mbajnë këtë nisje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat