Është bërë rrokada te Vllaznia, pas largimit të trajnerit Armando Cungu, Ernest Gjoka ka nisur tashmë punën në stolin kuqeblu, duke kryer edhe senacën e parë stërvitore. Trajneri Gjoka ka shkuar në Shkodër bashkë me stafin e tij dhe kjo do të thotë se edhe ndihmësit e mëparshëm largohen. Pra, së bashku me teknikun e ri do të jetë edhe përgatitësi atletik Gjergji Poloska dhe ndihmësi Fatjon Tafaj.
“Nis punën te një skuadër si Vllaznia, që është një skuadër elitare e futbollit shqiptar. Duhet të sistemojmë disa gjëra dhe të dalim nga kjo situatë. E njoh mirë skuadrën, me disa lojtarë kam punuar edhe më parë dhe kam besim të madh te grupi aktual. Cungu? Kam respektin maksimal për kolegun tim, Armandon, të cilin e kam mik. Por kjo punë kështu është dhe gjithçka varet nga rezultatet.
Për objektivat do të shohim në vazhdim, tani për tani duhet të kalojmë momentin e vështirë. Kemi përpara ndeshjen me Partizanin, ku do të luftojmë vetëm për tri pikët. Me Hasanin kam marrëdhënie shumë të mira, nuk kam pasur probleme asnjëherë. Te Vllaznia vij bashkë me stafin tim, pasi kështu kam punuar gjithmonë” – tha Gjoka në prononcimin e parë për mediat.