Jashanica me fat, do të qëndrojë vetëm dy javë jashtë fushave

Futboll

Jashanica me fat, do të qëndrojë vetëm dy javë jashtë fushave

Më: 7 nëntor 2017 Në ora: 10:40
Bajram Jashanica

Mbrojtësi i Skënderbeut, Bajram Jashanica, do të qëndrojë vetëm dy javë jashtë fushave. Kjo është përgjigja e rezonancës që ka marrë ditën e djeshme lojtari kosovar. Në orët e paradites së të hënës, ai u paraqit në një prej spitaleve të kryeqytetit, duke kryer rezonancën në pjesën e shpatullës. Dy ditë më parë mbrojtësi u dëmtua pas një përplasjeje me sulmuesin e Vllaznisë, Atsina.

Fillimisht u mendua se kishte nxjerrë shpatullën, por mjekët dje e kanë qetësuar lojtarin dhe stafin e Skënderbeut. Mësohet se ka rezultuar vetëm një shembje dhe jo thyerje të klavikulës, ashtu si edhe dyshohej në momentin e parë. Por, rezonanca është ajo që tregon gjithçka, dhe dje, pasi e ka kryer në kryeqytet, përgjigja duhet thënë se ka qenë pozitive, pasi e rëndësishme është që Jashanica nuk ka thyerje.

Vetëm dy javë mungesë është një lajm i mirë dhe mbrojtësi humbet në këtë mënyrë dy ndeshjet e radhës në kampionat, atë ndaj Flamurtarit në Vlorë dhe me Kamzën në Korçë. Jashanica shpresohet të jetë gati ndaj Dinamos së Kievit në ndeshjen e pestë të grupit B të Ligës së Europës, por gjasat janë të pakta. Ky takim është planifikuar të luhet më datën 23 nëntor në “Elbasan Arena”, teksa do të zhvillohet me dyer të mbyllura.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat