Rashica thotë se Kosovës i mungoi përvoja në kualifikimet për Kupën e Botës

Futboll

Rashica thotë se Kosovës i mungoi përvoja në kualifikimet për Kupën e Botës

Më: 10 nëntor 2017 Në ora: 08:20
Përfaqësuesja e Kosovës

Milot Rashica beson se përvoja i ka munguar më së shumti Kombëtares së Kosovës në kualifikime për Kupën e Botës që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Rusi.

Talenti i Kosovës dhe i Vitesse Arnhemit në Holandë, Milot Rashica ishte i pranishëm në Supersport, nëpërmjet një lidhjeje direkte nga Prishtina, ku ishte i grumbulluar me kombëtaren.

Kosova do të luajë një ndeshje miqësore me Letoninë, të hënën e 13 nëntorit dhe sulmuesi është në dispozicion të trajnerit për këtë sfidë.

“Luajtëm për herë të parë në eliminatore, por mungesa e eksperiencës bëri që ta mbyllim edicionin me vetëm 1 pikë, pavarësisht se në fushën e lojës dhamë shumë më tepër. Në këtë miqësore do të kërkojmë të fitojmë, pasi përveç lojës duhet të marrim edhe rezultate”, tha Rashica.

Milot Rashica luajti fillimisht për kombëtaren shqiptare U-21 dhe u ftua edhe nga De Biasi në grumbullimin para evropianit, por nuk u mor në Francë. më pas ai vendosi të luajë për përfaqësuesen e Kosovës, e cila ishte pranuar rishtazi në FIFA dhe UEFA.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat