Haziri: Stadiumi në Gjilan nuk do të përdoret për tubime politike

Futboll

Haziri: Stadiumi në Gjilan nuk do të përdoret për tubime politike

Më: 10 nëntor 2017 Në ora: 13:49
Vënia e gurthemelit për rindërtimin e stadiumit të qytetit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri dhe përfaqësuesit e klubeve “Drita” dhe “Gjilani”, kanë vënë sot gurthemelin e rindërtimit të stadiumit të qytetit.

Haziri tha se rindërtimi i stadiumit i dedikohet “Gjilanit” dhe “Dritës”, përkatësisht “Intelektualëve” dhe “Skifterëve”.

“Ky stadium i destinohet “Intelektualëve” dhe “Skifterëve” dhe dy klubeve të qytetit, të cilat tashmë janë në elitën e futbollit dhe shpresoj shumë që të jenë edhe në gara ndërkombëtare. Rindërtimi i stadiumit po bëhet në këtë vend, në të cilin është vendosur nga baballarët tanë. Nuk kam dashur ta ndërroj vendin, zemrën e qytetit, e cila i dedikohet sportit”, ka thënë kryetari Haziri.

Kryetari Haziri ka thënë se stadiumi po rindërtohet sipas standardeve të FIFA dhe UEFA.

“Ky stadium është i kategorisë së katërt sipas standardeve të FIFA dhe UEFA. E falënderoj kryetarin Vokrri që ekspertët e UEFA e kanë licencuar projektin, sepse është dashur të kalohet në procedurë për t’i plotësuar të gjitha kërkesat. Ky stadium i plotëson të gjitha kriteret për lojëra ndërkombëtare për të gjitha grupmoshat”, tha Haziri.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka thënë se është i kënaqur dhe i privilegjuar që ka filluar rindërtimi i këtij stadiumi.

“Sipas kërkesës së kryetarit Haziri dhe dy klubeve, sigurisht se do të jemi krah i fortë i dy klubeve dhe i futbollit të Gjilanit”, është shprehur Vokrri.

Pronarët e klubeve të futbollit “Drita” e “Gjilani” kanë falënderuar Komunën e Gjilanit për fillimin e këtij projekti të madh, përderisa kanë kërkuar nga kryetari Lutfi Haziri që të ndalohen tubimet politike në stadium, pasi siç thanë ata, do të dëmtohej drenazhi.

Kryetari Haziri i është përgjigjur kërkesës së klubeve, duke thënë se stadiumi nuk do të përdoret për tubime politike, në mënyrë që kjo hapësirë të lihet enkas për futbollin dhe të mos dëmtohet.

Ndryshe, vlera e rikonstruimit të stadiumit është 6 milionë euro, ndërkaq deri tani janë të siguruara 3.2 milionë.  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat