Partizanit nuk ia ka fajin trajneri

Futboll

Partizanit nuk ia ka fajin trajneri

Më: 16 nëntor 2017 Në ora: 16:04
Pamje nga një ndeshje

Laçi luajti pa kapitenin Sefgjini, të pezulluar, dhe mbrojtësin Ademir Souza, të dëmtuar. Starova kishte ulur në stol krejt prurjet e reja të verës, të epokës “Iuliano”, duke aktivizuar vetëm La Kamera. Progni, nga mbrojtës krahu, ku u adoptua nga trajneri i larguar italian i të kuqve, me “Bobin” e nisi si një “9” fals, në repartin ofensiv, në ndihmë të të cilit ishin Asani dhe Trashi. Ndryshim i Starovës mund të konsiderohet edhe dueti i qendrës së mbrojtes së kuqe, Atanda-Malota, duke ulur në stol Krasniqin. Loja nis e vrullshme për të dyja skuadrat. Fillimisht është Partizani (13′), që flirton me golin.

Malota godet me kokë brenda zonës së portës kurbinase, por portieri Selmani reagon bukur, e grushton topin në goditje nga këndi. Më vonë (24′) është Ansi Nika, që pason nga e djathta e sulmit për te Rexhinaldo, i cili provon me një goditje fluturimthi brenda zonës së kuqe, por topi përfundon jashtë kuadratit të Hoxhës. Gjoni arrin t’i shkëputet mbulimit të mbrojtjes së Partizanit, godet me kokë, por topi shkon në duart e Hoxhës, në qendër të portës mike. Partizani është pranë një autogoli (37′). Braziliani Eskerda kroson në zonë pas një goditje dënimit, topi devijohet nga Kalari, por për fat gjen duart e Alban Hoxhës.

Pjesa e dytë nis me “gol nga tuneli” për Laçin. Uzuni vepron bukur me topin në zonën e kuqe, teksa nxjerr të në pozicion tejet të favorshëm Rexhinaldon, që e dërgon topin në rrjetë. Mezani bën lëvizje në formacion, duke nxjerrë Bardhin për Lushkjen, në përpjekje për ta forcuar mesfushën, prej ku mendon ta zmbrapsë kundërshtarin, që vihet në kërkim të golit të barazimit. Kundërpërgjigjet Starova me aktivizimin e Bardhit, Filit dhe Sukajt, teksa synon të përforcojë sulmin. Përpjekjet e të kuqve janë të paqarta dhe konfuze, ndaj kurbinasit arrijnë ta administrojnë avantazhin me qarkullim topi dhe pasime të shkurtëra. Humbja e pestë në këtë kampionat për Partizanin, që nuk gjen derman as me rikthimin e Starovës. Tashmë titulli bëhet edhe më shumë mision i pamundur, ndërsa bardhezinjtë e Mezanit konsolidojnë pozitat në mesin e klasifikimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat