Tërstenën e torturuan, e futen në burg dhe ia ndaluan përjetë futbollin në Kosovë!

Futboll

Tërstenën e torturuan, e futen në burg dhe ia ndaluan përjetë futbollin në Kosovë!

Nga: Kemajl Goca Më: 16 nëntor 2017 Në ora: 17:52
Nexhat Tërstena si futbollist në vitin 1981

Viti 1981 do të mbetet viti më i errët për Nexhat Tërstenën, të cilit në kohën e rinisë iu rrënua karriera si futbollist dhe iu shuan ëndrrat tjera si maturant! Regjimi komunist me urdhrin e shovenistëve serb arrestoi Tërstenën dhe e dënoi atë me dhjetë vjet burgim! Në qytetin e Ferizajt sot e asaj dite flasin për Nexhatin dhe e kujtojnë si njërin nga talentet më të mëdhenj të futbollit në atë periudhë. Disa nga sportistët e asaj kohe, kur kujtojnë arrestimin dhe dënimin e Tërstenës, u “dridhej trupi” sikurse thupra sepse për një fjalë goje ke vuajtur me vite nëpër burgje.

Nexhati ka qenë qendërsulmues i talentuar ferizajas, luante për IMK Çelikun! Tërstena ishte akuzuar si organizator i demonstratave në vitin 1981 dhe përveç që u burgos, me urdhrin e regjimit komunist, atë e përjashtuan përjetë nga loja e futbollit, si person i rrezikshëm dhe nacionalist! Viti 1981 gjithmonë do të mbetet në kujtesë të Ahmet Sylejmanit, atë periudhë futbollist me përvojë i IMK Çelikut, ndërsa sot kryetrajner.  Sylejmani ofshanë kur kujton atëkohë sidomos arrestimin e Nexhatit. Sylejmanit ende nuk i fshihet nga kujtesa, se si milicia e regjimit komunist dhe serbosllave e asaj periudhe, e arrestoi talentin më të madh të futbollit, Nexhatin.

“Arrestimi i Nexhatit ka ndodhur menjëherë pas demonstratave bile në seancën stërvitore. Një lojtar serb atëkohë (luante për Borcin e Ferizajt të asaj periudhe, rival i madh i Çelikut), i veshur me uniformë të milicisë, Momir Spasiq, me kolegët e tij, ka ardhur në seancën stërvitore dhe e arrestuan Nexhatin. Vërtet jemi  ndier keq, ku edhe ne kemi qenë të involvuar në aspektin e demonstratave. Sidomos atëkohë, pesë punëtorë të Fabrikës së Tubave, kemi dalë dhe i dhamë përkrahjen demonstratave. Nexhati me shumë shokë të tij kanë ardhur në organizatën tonë me sensibilizuar çështjen kombëtare”, tregon për gazetën kombëtare “Bota sot”, Sylejmani.  

Ai tha se ka qenë e ndaluar të vizitohet Nexhati në burg, përveç familjes së tij. “E pamundur ka qenë që ai të vizitohet në burg. Këtë nuk e lejonte regjimi i asaj kohe”, kujton Sylejmani. Nexhati kishte vuajtur pesë vjet të rënda në burg dhe përjetoi lloj lloji torture, por ndihet krenarë për atë që kishte bërë për Republikën e Kosovës. Në fakt, ai sot është krenarë që djali i tij, Arti është volejbollist i KV Prishtina Volley.

Image

“Bota sot”:  Në vitin 1981, regjimi komunist iu përjashtoi përjetë nga loja e futbollit!

Nexhat Tërstena: Shkaku ishte arrestimi dhe dënimi me 10 vite burg si pjesëmarrës dhe organizator i demonstratave të 3 prillit të vitit 1981 në Ferizaj. Këto demonstrata morën hov në të gjitha qytetet e Kosovës pas atyre në Prishtinë.

“Bota sot”: A ishin ditët dhe vitet më të errëta?

Nexhat Tërstena: ishin ditët e ndryshimit total, prej një karriere të shkëlqyer sportive përfundova katër muajit e parë në vetmi me torturat e llojllojshme kryesisht që t’i denoncoj dhe t’i zbuloj shokët e tjerë, për këtë ndihem krenar që ata këtë synim nuk e realizuan. Ndihem shumë krenar që pata mundësinë të jem pjesë e kësaj lëvizje të madhe patriotike dhe kombëtare. Njëkohësisht malli për futbollin nuk më është shuar sepse në aspekt profesional aty ndryshoi gjithçka, por më i madh është kombi.

“Bota sot”:  Ju si njëri nga Organizatorët e demonstratave të vitit 1981, a ka qenë ky një montim nga regjimi i atëhershëm komunist ish-jugosllav?

Nexhat Tërstena: Isha pjesë e organizimit të demonstratave në Ferizaj me një grup studentësh të shkollës së lartë teknike në Ferizaj, por e potencoi përsëri, se barrën e dënimit e mora përsipër vet, kurse shokët tjerë vazhduan jetën pa u burgosur, për këtë ndihem krenar. 

“Bota sot”: Çfarë iu akuzuan?

Nexhat Tërstena: Gjykimet e tona kanë qenë farsë, nuk kemi pas mundësi të mbrohemi, kanë qenë shumë të shpejta, paraprakisht të dënueshme. Akuzat kanë qenë drakonike dhe dënimi na u shpall si kundërrevolucionar, kundërshtetëror me Nenin 114 të asaj kohe.

“Bota sot”: E përjetuat rëndë dënimin me 10 vite burgim dhe me përjashtim përjetë nga futbolli?

Nexhat Tërstena: I vetmi ngushëllim për këtë “humbje” të karrierës së shkëlqyer ka qenë mburrja patriotike që më ndihmoi të dal relativisht shëndosh fizikisht dhe psikikisht nga burgu. I lash shokët e mirë të futbollit jashtë dhe gjeta shumë shokë të mirë, burra e trima, intelektual në burg.

“Bota sot”: Si e vuajte dhe ku e vuajte dënimin?

Nexhat Tërstena: Deklaroj se unë dhe shumë shokë të mi kemi vuajtur burg të rëndë. Për pesë vite sa i mbajta, 4.5 vite kam qenë i izoluar, domethënë brenda mureve të dhomës me një orë shëtitje ditore. Prej këtyre 4.5 viteve kam vuajtur 1.5 vite në vetmi me kushte mesjetare dhe torturat e llahtarshme, me ushqim shumë të dobët dhe pa WC brenda, ku në vend të saj me kibëll / kante në kapak. Vendqëndrimi në burg: Ferizaj, Gjilan, pastaj në Vranjë e Nish të Serbisë.

“Bota sot”: Ku përjetuat torturat me të mëdha, a e kishin në konsideratë se jeni sportist, dhe me çfarë nofke iu thirrën?

Nexhat Tërstena: Torturat më të mëdha në Vranjë dhe në Nish. Në vend të emrit kemi pasur numra. Pjesën më të madhe e kam kaluar në Vranjë dhe në Nish.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të premten në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat