Liçaj deçiziv, Flamurtari triumfon në Lushnjë dhe merr vendin e 2-të

Futboll

Liçaj deçiziv, Flamurtari triumfon në Lushnjë dhe merr vendin e 2-të

Më: 19 nëntor 2017 Në ora: 15:59
Flamurtari

Flamurtari rikthehet te fitorja, duke mposhtur Lushnjën, me një gol në minutën e 90’, të shënuar nga futbollisti i ardhur nga stoli, Ledio Liçaj. Pas 2 barazimeve radhazi, me 2 skuadrat kryesuese, vlonjatët marrin 3 pikët dhe renditen përkohësisht në vendin e 2-të të renditjes, me 20 pikë, 1 më tepër se Kukësi, që luan nesër.

Në “Roza Haxhiu”, u zhvillua një ndeshje me ritëm mjaft të kënaqshëm, ku të dyja skuadrat shohin nga portat respektive në kërkim të golit. Për skuadrën vlonjate, gjatë 45 –minutave të para tentuan disa herë Useini, Alves dhe Jakoljeviç, por pa rezultat, ndërsa lushnjarët përtej dëshirës, nuk kishin forcë për të rrezikuar seriozisht portën e Nurkoviçit.

Në fund të pjesës së parë, trajneri Duro i Flamurtarit u detyrua të bënte një zëvendësim, me Bushiçin të dëmtuar, që ia la vendin Hoxhajt. Më kërkues Flamurtari në pjesën e dytë, por ishte Lushnja më pranë golit me Sefën që u ndal nga shtylla në minutën e 69-të. Në minutat e fundit vlonjatët krijojnë 2 raste të njëpasnjëshme me Ledio Liçajn dhe nëse herën e parë priti portieri lushnjar, të dytën topi përfundoi në rrjetë.

Minutat shtesë ishin të pamjaftueshme për Lushnjën që të barazonte dhe Flamurtari arriti të marrë një 3-pikësh shumë të rëndësishëm, në momentet e fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat