Skënderbeu-Dinamo Kiev, UEFA publikon statistikat për dy ekipet

Futboll

Skënderbeu-Dinamo Kiev, UEFA publikon statistikat për dy ekipet

Më: 20 nëntor 2017 Në ora: 11:44
Pamje nga një ndeshje

Skënderbeu do të presë të enjten më 23 nëntor Dinamon e Kievit, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e pestë në Grupin B të Ligës së Europës. Ekipi korçar do ta luajë takimin në stadiumin “Elbasan Arena” ku do të synojë të marrë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje.

Në faqen zyrtare të UEFA-s janë publikuar disa statistika në lidhje me dy ekipet para takimit të së enjtes. Fitorja me Skënderbeun i siguron kualifikimin direkt ekipit të Dinamos pasi mban vendin e parë në grup me 10 pikë.

Nga ana tjetër Skënderbeu nuk ka fituar asnjë nga gjashtë ndeshjet e fundit  në Europë. Ekipi korçar është i pa mposhtur në gjashtë ndeshje të luajtura në shtëpi, një rezultat që të bën të mendosh se edhe në Elbasan ekipi i drejtuar nga Ilir Daja do të vijojë të mbajë këtë ecuri.

Dy prej futbollistëve të Skënderbeut, Tefik Osmani dhe Kristi Vangjeli, kanë luajtur më parë në kampionatin e futbollit në Ukrainë. Skënderbeu është një nga tre ekipet, së bashku me Maccabi Tel-Aviv dhe Crvena Zvezdës, që ka arritur në fazën në grupe të Europa League duke e nisur nga raundi i parë kualifikues.

Orges Shehi është lojtari i nëntë në moshën 40 vjeçare që ka luajtur në UEFA Europa League dhe pjesëmarrësi më i vjetër në garën e këtij sezoni.  Sulmuesi i Dinamos së Kievit, Mbokani, nëse shënon ndaj Skënderbeut çon në 20-të numrin e golave të shënuar në këtë kompeticion.

Skënderbeu do e luajë ndeshjen e së enjtes me stadium të boshatisur, për shkak të dënimit që mori nga UEFA për shkak të thirrjeve anti-sportive në ndeshjen ndaj Partizan Beogradit. Gjithsesi, Skënderbeu pret në këtë ndeshje t`i rikthehen disa titullarë në ekip të cilët pritet të ndihmojnë ekipin në marrjen e një rezultati pozitiv ndaj skuadrës ukrainase.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat