Arbitra nga Austria për Skënderbeu – Dinamo Kiev

Futboll

Arbitra nga Austria për Skënderbeu – Dinamo Kiev

Më: 21 nëntor 2017 Në ora: 16:38
Oliver Dracht

Ndeshja e xhiros së pestë të Grupit B të Ligës së Europës, mes Skënderbeut dhe Dinamos së Kievit,  do të gjykohet nga një katërshe arbitrash nga Austria. Këtë gjë e ka bërë të ditur Komiteti i Arbitrave të UEFA-s, i cili ka njoftuar arbitrat për ndeshjen e së enjtes, që do të luhet në “Elbasan Arena”.

Në përballjen mes Skëndërbeut dhe Dinamos së Kievit, kryesor është zgjedhur 40-vjeçari nga Austria, Oliver Dracht. Karriera e gjykimit të tij ka nisur në vitin 1994. Prej vitit 2003 ai ka nisur të gjykojë në ndeshjet e Bundesligës austriake si ndihmës arbitër dhe arbitër i divizionit më të lartë nga viti 2008. Në vitin 2010 ai ka marrë edhe liçencë nga FIFA, për të gjykuar ndeshje ndërkombëtare.

Arbitri asutriak ka një eksperiencë të gjatë në gjykimin e ndeshjeve të Europa League, duke arbitruar deri më sot 14 ndeshje në raundet kualifikuese të këtij kompeticioni dhe 4 ndeshje në fazën në grupe. Ai nuk ka gjykuar kurrë më parë një ndeshje të Skënderbeut apo të Dinamos së Kievit.

Oliver Dracht njihet si një arbitër që nxjerr pak kartona gjatë një ndeshjeje, por nuk toleron ndërhyrjet e pa rregullta.  Gjyqtarë ndihmës do të jenë, Roland Brandner dhe Stefan Cur. Asistentë shtesë do të jenë Manuel Schuttengruber dhe Dieter Mukenhammer. Ndërsa arbitër i katërt do të jetë Roland Riedel.

Kujtojmë se ndeshja Skëndërbeu – Dinamo Kiev do të mbahet të enjten më 23 nëntor në Elbasan në stadiumin “Elbasan Arena”. Skënderbeu do ta zhvillojë këtë sidë me stadiumin e boshatisur për shkak të dënimit nga UEFA, ndërsa Dinamo e Kievit vjen më e qetë në këtë sfidë pasi ka siguruar kualifikimin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat