Kastrati, një edicion të shkëlqyeshëm në Norvegji

Futboll

Kastrati, një edicion të shkëlqyeshëm në Norvegji

Nga: Kemajl Goca Më: 21 nëntor 2017 Në ora: 19:16
Flamur Kastrati

Reprezentuesi i Kosovës, Flamur Kastrati, po kalon edicion të shkëlqyeshëm në fanellën e skuadrës së elitës së futbollit norvegjez, Sandefjord. Futbollisti deri me tash ka realizuar dhjetë gola dhe ka katër asistime, duke e ndihmuar skuadrën e tij që ta siguroi mbijetesën në elitë. Përveç kësaj, ai ka edhe disa oferta nga ligat e ndryshme jashtë Norvegjisë, por ende nuk ka vendosur, për faktin se ka ende kontratë me klubin Sandefjord. Kastrati është në vend të gjashtë të listës së shënuesve apo ka 9 gola me pak se sulmuesi i Rosenborgut, Nicklas Bendtner, ndryshe anëtar i kombëtares së Danimarkës, që prin në listën e shënuesve. Sandefjord, aktualisht mban vendin e 12-të me 36 pikë të mbledhura.

“Bota sot”: Edhe një javë e mbyllet edicioni në Norvegji, Sandefjord megjithatë siguroi ekzistencën. A keni pritur më shumë?

Flamur Kastrati: Po e kemi pritur, sepse kemi cilësi si ekip! Bëmë lojëra të mira dhe arritëm qëllimin që kishin para fillimit të edicionit të ri.

“Bota sot”: Në listën e shënuesve renditeni në pozitën e 6 -të me dhjetë gola për 29 ndeshje, a keni tejkaluar pritshmëritë?

Flamur Kastrati: Këtë edicion kam luajtur qendërsulmues dhe isha prej më të mirëve! Paraqitem për ekipin që u rikthye në elitën  norvegjeze, dhe se ka pritur askush se do të luajmë aq mirë dhe të jemi stabil në renditje. Personalisht me ka shkuar shumë mirë dhe shpresoj se do të jem edhe më i mirë në të ardhmen. E kemi edhe një lojë dhe do të mundohem të shënojë edhe dy gola.

“Bota sot”: Në javën e fundit ndesheni me Lillestromin, çfarë synoni dhe ku është rreziku më i madh nga rivali?

Flamur Kastrati: Fitore dhe asgjë tjetër. Në shtëpi kemi statistika të forta dhe besoj që do të fitojmë! Lillestromi është ekip e organizuar dhe luan shumë me kundërsulme!

“Bota sot”: Jeni vlerësuar si qendërsulmuesi më i mirë?

Flamur Kastrati: Po. Askush se ka besuar se do të tregoj cilësitë si qendërsulmues. Iu kam treguar të gjithëve se unë jam njëri prej më të mirëve në Norvegji. Të gjitha ekipet kanë shprehur interesim për mua, sepse janë befasuar me atë çfarë kam treguar.

“Bota sot”: Së fundi u ftuat në ndeshjet kualifikuese për kombëtaren e Kosovës, a shpresoni se do të ftoheni të ardhmen edhe nga selektori i ri?

Flamur Kastrati: Po, besoj. Herën e kaluar nuk munda me iu përgjigj ftesës për shkak të lëndimit sidomos kundër Letonisë.

“Bota sot”: Si e sheh kombëtaren e Kosovës në të ardhmen?

Flamur Kastrati: Kemi treguar se jemi kombëtare e fortë kundër Letonisë dhe tani shohim veç përpara. Kosova ka shumë talent e lojtarë cilësorë, që do të dëshmohet me kohë.

“Bota sot”: A do të mbeteni në Sandefjord apo keni oferta nga klubet tjera?

Flamur Kastrati: Oferta vijnë prej ligave më të mira. Nuk dihet ende asgjë se do të qëndrojë apo jo. Kam kontratë edhe një vit, por ka interesim të madh nga skuadrat e ndryshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat