Supersfida Juventus-Barcelona

Futboll

Supersfida Juventus-Barcelona

Më: 22 nëntor 2017 Në ora: 12:50
Pamje nga një ndeshje

Barcelona e drejtuar nga trajneri Valverde përballet sonte (20:45) me një test të vështirë kundër Juventusit, edhe pse një barazim është i mjaftueshëm për të garantuar matematikisht vendin e parë në grup, me një lojë të mbetur deri në fund të fazës së grupeve. Barça shpreson të ruajë ecurinë e saj të patëmetë si e  pamposhtur në Ligën e Kampionëve në këtë sezon, por edhe të kërkojë hakmarrje pas disfatës së vitit të kaluar ndaj bardhezinjëve. Juventusi, nga ana tjetër, ka nevojë për një fitore, sepse vjen nga humbja në kampionat dhe ende përjeton “traumatizimin” e moskualifikimit të Italisë për në Kupën e Botës.

Ekipi katalanas zbarkoi dje në Torino me besim dhe vetërespekt, pas fitores në Leganés, të shtunën e kaluar, dhe dhjetë pikëve distancë nga Real Madridi në kampionatin spanjoll. Tashmë fillon një javë e madhe, e cila përfshin vizitën në Torino dhe Valencia. Trajneri Valverde do të jetë pa Sergi Roberton e dëmtuar, Mascherano dhe André Gomes, por ka shumicën e grupit. Tekniku iberik do të mund të vërë bast me të njëjtën njëmbëdhjetëshe të dy ndeshjeve të fundit, njësoj si ndaj Sevilla dhe Leganés, me Paco Alcacer që do të shoqërojë përsëri Messin dhe Suarez në sulm. Prania e ishlojtarit të Valenciàs është apriori i vetmi dyshim për formacionin startues, edhe pse dy shfaqjet e tij të fundit duket se e kanë katapultuar si titullar.

Një pikë e vetme është e mjaftueshme për azulgrana, për të siguruar kualifikimin në vendin e parë në grup. Juve, nga ana tjetër, është e detyruar të fitojë, nëse nuk do të shohë nga Sporting-Olympiacos. Juve, e cila “hëngri dajak” në ndeshjen e parë me Barcelonën, në “Camp Nou”, vjen nga humbja ndaj Sampdorias. Lojtarë si Buffon nuk e kanë kaluar ende shokun psikologjik të moskualifikimit të Italisë për Kupën e Botës. Për shumë prej tyre, ndeshja e sotme mund të nënkuptojë një “Barçaterapia”, siç përshkruante gazeta italiane “Tuttosport” dje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat