Panucci: Qaka është një lojtar mjaft i talentuar

Futboll

Panucci: Qaka është një lojtar mjaft i talentuar

Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 13:45
Kombëtarja e Shqipërisë

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Christian Panucci, ka dalë sot në një konferencë për shtyp nga mjediset e FSHF-së, duke u përballur me gazetarët pas miqësores me Turqinë, të fituar me rezultatin 3:2 në Antalia. Kjo dalje e teknikut italian ka përkuar në një ditë me renditjen mujore (të nëntorit) të FIFA-s, ku Shqipëria kishte ngjitur 9 vende. Ai u shpreh mes të tjerash: “Nuk e di çfarë ndryshuar me mua trajner, por personalisht e profesionalisht kërkoj të jap më të mirën në skuadër. Kemi pak kohë për të punuar. De Biazi kishte mënyrën e tij të punës, unë timen. Kam idetë e mia dhe duhet të ndryshoj diçka, është e pashmangshme. Në fund uroj të kem rezultatet e De Biazit. Miqësorja me Turqinë? Besoj se pjesa e parë tregoi punën që bëmë në Antalia.

Kemi luajtur futboll të bukur në Turqi. Ishte një ndeshje me dy pamje: në pjesën e parë luajtëm mirë, ndërsa në të dytën treguam karakter, kur mbetëm me 10 lojtarë. Në 9 ditët stërvitje në Antalia lojtarët ishin shumë seriozë në punën e bërë. Rezultati i ndeshjes ishte rrjedhojë e asaj pune që bëmë me grupin. Jam shumë i kënaqur nga të rinjtë dhe kemi një bazë kualiteti të mirë. Qaka është një lojtar mjaft i talentuar, që luan në Rumani. Edhe Ajdareviç ka kualitet. Kemi edhe 6 muaj kohë dhe do të punojmë për të afruar lojtarë të tjerë në grumbullimin e marsit. Kemi 5-6 lojtarë që po ndjekim dhe do të shohim se çfarë do të bëjmë. Do të ketë afrime të reja në muajin mars. Më pas, do të shikojmë dhe do të vendosim se kush vlen. E sigurtë është që do të ketë prurje të reja”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat