Shkëndija në festë, sundon në Maqedoni

Futboll

Shkëndija në festë, sundon në Maqedoni

Më: 3 dhjetor 2017 Në ora: 19:29
Lojtarët e Shkëndijes

Ibraimi, Hasani dhe Zejnullai me nga një gol në pjesën e dytë sigurojnë fitore 3:0 përballë Pelisterit, duke mbyllur sezonin vjeshtor bindshëm në vendin e parë me 15-të fitore nga 18-të takime. Hasani me 17-të dhe Ibraimi me 13-të kompletojnë bashkarisht 30-të realizime në gjysmësezonin vjeshtor.

Shkëndija kishte dominim të plotë në pjesën e parë, mirëpo përkundër 10-goditjeve drejt portës kundërshtare, prej të cilave 7-të në kuadrant ndryshim të rezultatit. Kuqezinjtë u duk se gjetën epërsinë pas 5 minutave lojë kur pas asistit të Juniorit topin drejt portës e drejton Hasani, mirëpo arbitrat tregojnë loja të vazhdojë edhe pse u duk se topi kaloi vijën fatale. Në vazhdim Shkëndija vazhdoi të dominojë dhe krijonte raste shënimi me Hasanin, Ibraimin, Juniorin dhe Alimin, mirëpo miqtë arritën të mbrohen dhe në pushim të shkojnë me rezultatin e fillimit 0:0. Kjo bëri që kuqezinjtë të nisin edhe më furishëm pjesën e dytë dhe kansoja e Ibraimit nga gjuajtja e lirë ishte paralajmërim për epërsinë që do të vinte në minutën e 49-të.

Besart Ibraimi shërbehet mirë në hyrje të zonës dhe pasi i afrohet portës me një të majtë precize zhbllokon rezultatin për epërsi 1:0. Miqtë tentuan të përgjigjen, por Shkëndija tani më kishte hapur rrugën drejt fitores dhe në minutën e 67-të fiton penalti me anë të Ibraimit. Hasani ishte ekzekutes i sigurtë nga pika e bardhë, duke çuar shifrat në 2:0. Me epërsi të sigurtë kuqezinjtë drejtuan ndeshjen drejt fundit, ndërsa kishte kohë për të riun Arbin Zejnullai që në minutën e 90-të të shënojë për rezultat 3:0. Festa mund të fillonte dhe në tribuna jehonte kënga “kampione, kampione,…”, me Shkëndijën që shkon 14-të pikë larg vendit të dytë. Kuqezinjtë mbyllin gjysmësezonin vjeshtor me 46-të pikë, duke fituar 15-të takime, një barazim dhe dy humbje.

SHKËNDIJA-PELISTERI 3:0 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 3 500
Arbitër: Jovan Kaçevski (Strugë)
Arbitra anësorë: Zharko Todorovski dhe Razme Bakraçeski
Delegat: Nenad Markoski
Golashënues: Ibraimi 49′, Hasani pen. 68′ dhe Zejnullai 90′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Teqja dhe Murati (Shkëndija), ndërsa Peev 2 dhe Markoski (Pelisteri)
Karton i kuq: Peev 74′ (Pelisteri)
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtuallai (Todorovski 75′), Alimi, Cuculi, Ibraimi, Totre (Zejnullai 62′), Hasani, Radeski (Emini 82′), Murati, Junior, Teqja.
Trajner: Qatip Osmani
PELISTERI: Atanasovski, Todorovski, Dragarski (Kuajnor 79′), Lamçevski, Dos Santos (Iliev 54′), Kovaçev, Popzllatanov, Lukas, Markoski, Barbosa (Cvetanovski 64′), Peev.
Trajner: Sasho Petrovski.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat