Champions, premtimi i Guardiola-s ndez ëndrrat europiane të Napoli-t

Futboll

Champions, premtimi i Guardiola-s ndez ëndrrat europiane të Napoli-t

Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 15:28
Pep Guardiola

Napoli ka akoma një shpresë për t’u kualifikuar në raundin pasardhës të Champions League. Skuadra e Sarri-t do të luajë të mërkurën në mbrëmje ndeshjen e fundit të fazës me grupe në fushën e Feyenoord. Hysaj me shokë duhet të fitojnë kundër holandezëve dhe të shpresojnë te një fitore e Manchester City në Ukrainë, kundër Shakhtar Donetsk, për të siguruar kualifikimin.

Fjalët e thëna nga Pep Guardiola, trajneri i “Citizens”, në konferencë për shtyp bën të ëndërrojnë tifoët napolitanë. “I kam kërkuar lojtarëve nëse ndonjëri prej tyre nuk kishte dëshirë të shkonte në Donetsk. Doja ta dija sepse nuk dua të bëjmë një paraqitje të keqe. Objektivi im është të fitojmë kundër Shakhtar dhe unë mendoj vetëm për të marrë tri pikët”.

Manchester City është në formë të shkëlqyer: është në vend të parë në Premier League, me 14 fitore në 15 ndeshje, dhe ka marrë 5 fitore në 5 ndeshjet e luajtura deri tani në Champions. Për Guardiola-n do të ishte një mëkat të prishej kjo ecuri me një humbje në Ukrainë: “Duhet të japim maksimumin në shenjë respekti për Napoli-n, Shakhtar dhe Champions-in, dhe për veten tonë. Mbyllja e grupit me 18 pikë do të ishte një vlerë e madhe për prestigjin e këtij klubi, që e meriton një gjë të tillë”,

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat