Lushnja turpëron Kukësin, Flamurtari merr vendin e dytë

Futboll

Lushnja turpëron Kukësin, Flamurtari merr vendin e dytë

Më: 9 dhjetor 2017 Në ora: 18:29
Lushnja turpëron Kukësin

Flamurtari është rikthyer te fitorja, duke mposhtur Vllazninë në Vlorë, me rezultatin 2-0. Në një takim të luajtur në kushte mjaft të vështira atmosferike, me reshje shiu dhe erë të fortë thuajse gjatë gjithë 90-minutëshit, sfida u zhbllokua nga Musta me një gol të shënuar që në minutën e 8’ të pjesës së parë. Pavarësisht reshjeve, terreni i stadiumit ‘Flamurtari’ ishte në gjendje mjaft të mirë për zhvillimin normal të takimit, por sfida nuk u ngjit asnjëherë në lartësinë e pritur.

Flamurtari u detyrua të bëjë edhe një ndërrim të shpejtë, pas dëmtimit të kapitenit Tomislav Bushiç që në pjesën e parë, ndërsa Vllaznia ndonëse krijoi volum, nuk arriti të rrezikojë seriozisht portën e vlonjatëve. Në minutat e fundit të sfidës, ishte Kamara që shfrytëzoi një dalje të gabuar të portierit shkodran Sherri dhe pas një rrëmuje, dërgoi topin në rrjetë duke vulosur fitoren 2-0.

Pas kësaj fitoreje Flamurtari ngjitet përkohësisht në vendin e dytë, me 25 pikë, 2 më tepër se Kamza e vendit të tretë, që do të zbresë në fushë nesër. Nga ana tjetër, Vllaznia e Gjokës pëson humbjen e dytë radhazi dhe mbetet në zonën e rrezikut, veçanërisht pas fitores edhe të Lushnjës në ditën e sotme.

Rezultat befasues prodhoi edhe “Zeqir Yemeri” në sfidën hapëse të javës së 14-të të Superiores mes Kukësit dhe Lushnjës. Kampionët në fuqi turpërohen 1-3 nga Lushnja e vendit të fundit, duke dalë ndoshta përfundimisht nga gara për titull. Nga ana tjetër ekipi i Dedjes ndez shpresat për mbijetese, pasi ngjitet në kuotën e 8 pikëve.

Kukësi e nis keq takimit, pasi ndëshkohet me gol që në minutën e 12-të. Krosimi i Metos pas goditjes së lirë gjen kokën e Prençit, i cili devijon lehtë me kokë aq sa për ta dërguar topin në rrjetë.

Vendasit mundohen të reagojnë menjëherë, por lushnjarëve goli u dha zemër dhe ata mbrohen me shumë forca. Rrumbullaku nga distanca dhe Bakaj që nuk arrin tyë devijojë drejt portës pasimin e Gurit shkaktojnë panik në zonën e Lushnjës, por rezultati nuk ndryshon më gjatë 45 minutave të para.

Vetëm 2 minuta lojë iu nevojit Kukësit në pjesën e dytë për të gjetur golin e barazimit. Pas një kombinimi të bukur mes Gurit dhe Rrumbullakut, mbrojtësi pason saktë në qendër për Bakajn që nuk fal, 1-1.

Ndërkohë që futbollistët e Kukësit po ngulmonin për golin e dytë, Fatjon Sefa befason vendasit duke kthyer në avantazh Lushnjën me një goditje jo shumë të fortë, por të zgjuar, në rrëzim e sipër, thuajse në vijën e 16 metrave.

E pabesueshmja ndodhi në minutën e 82-të kur pas një mosmarrëveshjeje mes Shametit dhe Hoxhës, Sefa e dërgon topin në rrjetë për golin e 1-3.

Kukësi, i demoralizuar nga ky rezultat i papritur, nuk gjeti forca për ta kthyer rezultatin. Kjo humbje pritet të pasohet edhe me largimin e trajnerit Mladen Milinkovic, i cili nuk e ka më grupin nën kontroll për ta kthyer skuadrën në nivelet më të larta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat