Dortmundi shkarkon trajnerin

Futboll

Dortmundi shkarkon trajnerin

Më: 10 dhjetor 2017 Në ora: 13:16
Peter Bosz

Pas zërave të djeshme se Peter Bosz nuk është më trajneri i skuadrës së Borussia Dortmund, pak minuta më parë ka ardhur edhe zyrtarizimi. Klubi, përmes një komunikate zyrtare për mediat, ka konfirmuar largimin e tij nga detyra, duke shtuar se trajneri i ri i skuadrës së Borussia është Peter Stoger. Ai do të drejtojë Dortmund deri në fund të sezonit, duke nënshkruar një kontratë që zgjat deri më 30 qershor të 2018-ës. “Ky është shansi i artë i jetës time”, tha Stoger gjatë konferencës për shtyp.

Bosz u ul në stolin e “verdhekuqve” gjatë verës së kaluar, pas një paraqitje të mirë me Ajax sezonin e kaluar, ku shkoi deri në finalen e Europa League. Por pas rezultateve negative të javëve të fundit, teksa ka tetë javë që nuk shijon fitoren, rrugët e tij janë ndarë me ato të klubit gjerman, duke qëndruar në detyrë vetëm 163 ditë.

Bosz largohet duke mos lënë gjurmë në Bundesligë, teksa Borussia renditet në vendin e shtatë, ndërkohë që skuadra dështoi të avancojë edhe në Champions League (gjermanët u renditën në vendin e tretë në grup, pas Real Madrid dhe Tottenham), ndaj në shkurt do të luajë në Europa League. Drejtuesit e klubit patën një takim dje në mbrëmje me ish-trajnerin, ku i kanë komunikuar vendimin, ndërsa sot gjithçka është zyrtarizuar.

Në vendin e tij vjen Stoger, që një javë më parë u largua nga detyra e trajnerit të skuadrës së Këlnit, që ndodhet në fundin e renditjes, pa asnjë fitore këtë sezon të Bundesligës. Trajneri i ri e vlerësoi këtë detyrë të re, duke thënë se i jepet një mundësi e dytë këtë sezon, si shansi i jetës së tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat