Kupa e Shqipërisë, të mërkurën luhen ndeshjet e kthimit

Futboll

Kupa e Shqipërisë, të mërkurën luhen ndeshjet e kthimit

Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 11:56
Ilustrim

Të mërkurën do të luhen ndeshjet e kthimit të 1/8-ve të Kupës së Shqipërisë. Sfidat e kthimit pritet të jenë interesante, pasi disa ekipe të Superligës ende nuk kanë siguruar kualifikimin. Partizani do të luajë kundër Pogradecit dhe pritet të jetë një sfidë interesante. Të kuqtë e fituan ndeshjen e parë me rezultatin 0-1 në fushën e liqenorëve.

Ndaj ndeshja e kthimit  është ende e hapur, pavarësisht se të besuarit e Sulejman Starovës janë të favorizuar dhe Kupa është objektiv kryesor i sezonit. Vllaznia do të presë Tiranën, që në ndeshjen e parë e mundi ekipin shkodran. Për të besuarit e Gjokës kjo është një sfidë e vështirë, pasi rezultati 2-0 në favor të Tiranës i komplikon shumë  punët e kualifikimit për në fazën tjetër.

Skënderbeu do të luajë kundër Besëlidhjes të mërkurën. Në sfidën e parë korçarët fituan ngushtë me rezultatin 0-1 në fushën e lezhianëve. Ndërsa pritet që edhe në ndeshjen e kthimit të mos e diskutojnë kualifikimin. Bylisi surprizoi Luftëtarin në ndeshjen e parë të 1/8-ve të Kupës së Shqipërisë duke i mundur gjirokastritët me rezultatin 2-1.

Ndaj për ekipin e Superligës pritet që ndeshja e kthimit të jetë e vështirë. Flamurtari pothuajse është kualifikuar në fazën tjetër të Kupës, pasi në ndeshjen e parë mundi me rezultatin e thellë 1-6 ekipin e Turbinës në Cërrik. Ashtu si Flamurtari edhe ekipi i Kukësit është pothuajse i kualifikuar, pasi ndeshjen e parë ndaj Erzenit e fitoi me rezultatin 1-4 në fushën e shijaksve.

Sfida më e hapur e 1/8-ve të Kupës është përballja e dy ekipeve të Kategorisë Superiore. Kamza dhe Teuta në ndeshjen e parë mes tyre barazuan me rezultatin 1-1, ndaj ndeshja e kthimit do të jetë e luftuar nga të dy ekipet që duan  kualifikimin.

Laçi pothuajse ka siguruara kualifikimin pasi mundi Lushnjën në ndeshjen e parë me rezultatin 1-3. Ndaj ndeshja e kthimit për kurbinasit, që luajnë në shtëpinë e tyre, pritet të jetë një formalitet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat