Pse është politizuar sporti?

Futboll

Pse është politizuar sporti?

Nga: Kemajl Goca Më: 15 dhjetor 2017 Në ora: 10:05
Dy veprimtarë të shquar sportiv, Ejup Maxhera, ish sekretar i Federatës së Sporteve të Kosovës dhe Sejdi Mërkoja, sekretar i parë i Federatës së Futbollit të Kosovës

Dy veprimtarë të shquar sportiv, Ejup Maxhera, ish sekretar i Federatës së Sporteve të Kosovës dhe Sejdi Mërkoja, sekretar i parë i Federatës së Futbollit të Kosovës, assesi nuk pajtohen që Stadiumi Kombëtar të ndërtohet jashtë kryeqytetit. Ata kanë afruar fakte pse Stadiumi Kombëtar nuk është mirë të ndërtohet jashtë kryeqytetit. Siç dihet Qeveria e Kosovës, ditë më parë mori vendim që Stadiumi Kombëtar të ndërtohet në Zonën Ekonomike të Drenasit pikërisht në Sankoc, 14 kilometra larg Prishtinës. Maxhera e Mërkoja, shtrojnë pyetje, përmes një letre publike, se a është zhytur politika në sport? “Në kohën kur u pavarësua sporti i Kosovës, politika nuk kishte gisht në të sepse ishte dëshira, guximi, iniciativa e punëtorëve dhe profesionistëve sportiv dhe sportistëve të Kosovës. Kështu sporti mbijetoi një dekadë më shumë presione, kërcënime, likuidime dhe sakrifica. Asnjëherë, në asnjë rast politika nuk vendosi për ndonjë veprim në sport e aq me pak të mendohej për ndërhyrje politike.

Sot shtrohet pyetja, përse tani për çështjet e sportit nuk pyeten sportistët dhe punëtorët sportivë? A është e zhytur politika në sport dhe atë nga koka? Apo vallë kjo është çështje e interesit lokal nga pushtetarët të cilët nuk i pyesin ata për të cilët ndërtohet objekti, sikur në rastin e Stadiumit Kombëtar. Objektet me karakter si në rajon po ashtu edhe në shtetet e Bashkimit Evropian, por edhe me gjerë ndërtohen në kryeqytet për shkak të shfrytëzimit racional, interesit të madh ekonomik, përcjellja e ndeshjeve nga tifozët, mirëmbajtja e objektit për shkak të afërsisë edhe për shkak të shpenzimeve më të vogla. Stadiumi Kombëtar propozohet të ndërtohet në komunën e cila është pas komunës së Fushë Kosovës dhe në largësi afro 20 kilometra.

A thua që sporti i Kosovës mund t’i përballoj shpenzimet e kësaj largësie për përgatitje-stërvitje dhe ndeshje, duke marrë për bazë gjendjen financiare në të cilën gjendet shteti i Kosovës. Të gjitha këto çështje që përmenden më lartë mjafton të thuhet se ndërtimi i Stadiumit Kombëtar jashtë kryeqytetit ishte së pari vendim politik dhe pashmangshëm dështim i madh i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe në mënyrë indirekte kjo mund të konsiderohet edhe si dështim i gjithë punëtorëve sportiv, sportistëve dhe tifozëve.

Politika me këtë dështim u ka hyrë në hak gjithë punëtorëve sportiv, sportisteve dhe tifozëve, sepse Prishtina absorbon 70 për qind të sportistëve të Kosovës dhe koncentrimi i cilësisë është në kryeqytet. Është brengosëse fakti që FFK nuk ka reaguar fare për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar, jashtë Prishtine, sepse FFK do të jetë shfrytëzuesja më e madhe. Ndoshta ekziston një lloj frike që mospajtimi me këtë vendim të Qeverisë do të ndikoj edhe në ndërtimin e këtij objekti, edhe pse dëshirojmë të besojmë se FFK shpirtnisht nuk pajtohet me këtë vendim. Besojmë se asnjë qytetar i Kosovës nuk pajtohet me këto vendime politike dhe njëherë e tërë kjo ka mund të ndodhë vetëm pas presioneve të mëdha politike ndaj Ministrit të Sportit nga njerëzit me influencë të madhe politike. Ky është reagimi i parë i cili do të pasoj me reagime tjera. Ne duam të besojmë që reagime të ngjashme do të pasojnë edhe nga institucione tjera relevante sportive. Ky reagim bëhet me konsultim me shumë punëtor sportiv dhe sportist që e pavarësuan sportin e Kosovës në vitin 1991”, thuhet në reagimin e Maxherës dhe të Mërkojës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat