Zogaj: Një ëndërr që po realizohet

Futboll

Zogaj: Një ëndërr që po realizohet

Nga: Kemajl Goca Më: 15 dhjetor 2017 Në ora: 17:07
Bekim Zogaj gjatë ndeshjes Vitesse-Nice

Në shtetet e ndryshme jo vetëm të Evropës, kemi një numër të madh të sportistëve shqiptarë, që luajnë me sukses e arrijnë suksese të mëdha. Krenari e shqiptarëve pa dyshim është edhe gjyqtari nga Kosova, Bekim Zogaj, me nënshtetësi zvicerane, që me sukses të madh referon në Superligën e Zvicrës, si dhe në garat e Champions League, Europa League dhe për grupmoshat e reja në Kampionatet Evropiane e Botërore. Zogaj është një model dhe shembull se si arrihet në nivelin më të lartë, pra falë punës me përkushtim dhe ndarjes së drejtësisë në mënyrën më të mirë të mundshme. Zogaj kudo që shkon e referon është i respektuar deri në pikën e fundit dhe pa dyshim është një shembull për brezin e ri se si me punë e profesionalizëm arrihet në nivelet më të larta. Zogaj në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, tregon për disa të veçanta që u ballafaqua gjatë këtij viti.

“Bota sot”: Vitin 2017, ka qenë një vit më shumë aktivitete ndërkombëtare. Cilat mund t’i veçoni prej tyre që iu lanë mbresa të pashlyeshme?

Bekim Zogaj: Po, është e vërtetë që në vitin 2017 kam pasur disa ndeshje interesante ndërkombëtare. Loja më e veçantë ka qenë ndeshja Vitesse Arnheim – Nice, pasi ishte ndeshje e Europa League. Një ndeshje vendimtare për arbitrin tim Sandro Schärer dhe për ne si ekip. E veçantë ishte edhe që loja u luajt me një stadium të mbyllur, ku ishin afër 18.000 tifoz prezent. Një atmosferë e veçantë, po ashtu takimi me Milot Rashicën ishte shumë i mirëseardhur. 
 

“Bota sot”: Nga 1 janari 2018 do të jeni 40 për qind asistent gjyqtar (si profesionist), është një arritje tjetër e madhe në karrierën tuaj si profesionist?

Bekim Zogaj: Është hera e parë që Federata e Zvicrës ka vendosur që 6 nga 10 asistentët me rangun e FIFA-s me i profesionalizuar. Një vendim i madh dhe shumë i mirëseardhur për ne gjyqtarët. Është një ëndërr që po realizohet. Më këtë “gjysmë profesion” do të kemi shumë kushte më të mira, për me ushtruar, analizuar ndeshjet dhe regjenerimin pas ndeshjes, sepse shpejtësia e ndeshjeve aktuale është e madhe. Arbitri i mirë duhet jo të jetë vetëm atlet por edhe të “ngrënë (han) futboll”! 

“Bota sot”: Me gjyqtarin zviceran Sandro Schärer referoni në ndeshjet ndërkombëtare, si në Champions League apo në Europa League. A ke një siguri më të madhe kur ai është në fushë ose ai është më i qetë kur ju jeni asistent?

Bekim Zogaj: Unë Sandro Schärer e njoh qysh nga fillimi, kur ka kryer kursin e arbitrave fillestar. Ne kuptohem ne fushë dhe jashtë terrenit “qorras”. Pa përkrahjen e tij, ndoshta nuk isha këtu ku jam, pasi edhe arbitri kryesor vendos për ekipin e tij, por edhe ai ka një besim të veçantë tek unë. Është e vërtetë që ai me prezencën time, e ndjen vetën më të sigurtë. 

“Bota sot”: A është një punë e mundimshme, sepse krahas garave në elitën e futbollit zviceran, shumë herë gjykoni në arenën ndërkombëtare?

Bekim Zogaj: Arbitri i sotit duhet te jetë si atlet. Për atë duhet me ushtruar shumë. Në tre vitet e fundit kam qenë afër 90 ditë jashtë Zvicrës për ndeshje ndërkombëtare, turne dhe kam punuar deri me tani si 95 për qind si kontabilist. Pa përkrahjen e familjes, komunës së Winterthurit (Zurich) aty ku punoj, nuk kisha pas mundësi me i arritur të gjitha. Në ndeshje ndërkombëtare është presioni për ne më i madh, pasi qe e kem qëllimin me u ngrit në kategoritë më të larta të UEFA-s dhe FIFA-s. 

“Bota sot”: Mund ta veçoni një moment të lezetshëm por edhe të sikletshëm gjatë këtij viti në referim?

Bekim Zogaj: Një moment i veçantë ka qenë kur kemi arbitruar derbin me të madh në Zvicër, FC Basel - Young Boys Bernë, (33000 shikues) dhe kemi marrë kritika shumë të mira.  Të sikletshëm i marrë vendimet e mija kur gabojë. Me ndonjë ofsajd (pozitë jashtë loje). Kur vendimi ndikon direkt ne rezultat, dhe pas ndeshjes nuk mundemi me fjetur (edhe pse ndoshta nuk e beson askush). Ketë vit me ka ndodhur vetëm një herë, që vendimi im ka ndikuar në rezultat. Ishte në ndeshjen Young Boys Bernë - FC Vaduz. Por pas ndeshjes menjëherë e analizojmë vendimin pse ka ndodhur dhe si mundemi të përmirësohemi në të ardhmen. 
 

“Bota sot”: Sa e përcillni futbollin e Kosovës dhe sipas kushteve që dihen në fushat tona, a është sfidë për gjyqtarët tanë të referojnë?  
Bekim Zogaj:
Deri në sezonin 2016/17 kam përcjell shumë futbollin e Kosovës me një vëmendje të madhe. Qysh nga vera e këtij viti, nuk kam mundur aq, pasi kam pas shumë angazhime, edhe pse emisionet sportive gati te gjitha i shikoj të dielën. Kolegët e mi në krye me Përparim Hasanin dhe arbitrin e Superligës, Visar Kastrati, si shef i departamentit të arbitrave, janë duke punuar shkëlqyeshëm. Kushtet do të vijnë së shpejti si për arbitra, lojtarë dhe gazetarë, duhet durim dhe disiplinë të punohet për të mirën e vendit. Kur mendoj se ku ka qenë kualiteti i arbitrimin para 3-5 viteve, besoj se sot teknikisht kemi një ndarje të drejtësisë shumë më të mirë në Kosovë. Ka shumë arbitra të talentuar Kosova, duhet të përkrahen në maksimum. Pa kushte nuk ka kualitet. 

 “Bota sot”: Cili është synimi juaj?

Bekim Zogaj: Synimi im është pasi jam ngritur në rangun e FIFA-s si asistent, me nda drejtësi me arbitrin tim Sandro Schärer në ndeshje të Champions Leagues dhe pse jo me ndonjë turne të madh Evropian dhe pse jo Botëror. Të njëjtat dëshira i shprehi edhe për kolegët e mi nga Kosova, pasi e di se me çfarë përkushtimi e kryejnë detyrën e tyre!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat