Luiz vendos ultimatum për trajnerin

Futboll

Luiz vendos ultimatum për trajnerin

Më: 15 dhjetor 2017 Në ora: 19:08
Luiz ultimatum Antonio Conte

David Luiz ka zhvilluar diskutime me trajnerin e Chelseas, Antonio Conte, me qëllim qartësimin e pozitave të tij, duke i kërkuar italianit rikthimin në formacionin titullar të “Bluve”, përndryshe do të largohet. Braziliani u la jashtë skuadrës nga Conte pas kontradiktave mes të dyve në lidhje me lëvizjet taktike në disfatën e Chelseas ndaj Romës, për Champions League, në tetor, si dhe për reagimin e tij pas zëvendësimit në ndeshjen e luajtur në shtëpi ndaj italianëve. Qendërmbrojtësi rebel pësoi më pas një dëmtim në gju dhe që, nga ajo kohë ka qenë jashtë skuadrës së Chelseas. Por ai mund të jetë i gatshëm për tu rikthyer në ndeshjen e të shtunës, kur Chelsea të përballet në shtëpi ndaj Southampton.

Luiz, tashmë 30 vjeç është përfolur në lidhje me një transferim të mundshëm te Manchester United dhe Real Madrid dhe kuptohet se edhe Bayern Munich gjithashtu po monitoron situatën e tij te Chelsea. Tabloidi britanik “Express Sport” ka zbuluar se Luiz dhe Conte janë takuar gjatë kësaj jave dhe trajneri është shprehur se dëshiron mbrojtësin sërish në skuadër. Gjithsesi, Luiz ka kërkuar të ripozicionohet në cilësinë e titullarit të padiskutuar.

Një burim pranë brazilianit deklaroi: “David, si çdo futbollist kërkon të luajë. Prandaj, tani ai po pret të shohë se çfarë do të ndodhë”. Nga ana tjetër, vetë trajneri Conte, i pyetur javën e kaluar nëse Luiz ishte i lumtur në “Stamford Bridge” deklaroi: “Mendoj se tani nuk është momenti i duhur për të folur mbi këtë çështje. Ka shumë ndeshje përpara merkatos së janarit dhe tani nuk është koha e duhur, kjo nuk është e rëndësishme”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat