A keni lidhje me këtë histori, a keni gjak Partizani?!

Futboll

A keni lidhje me këtë histori, a keni gjak Partizani?!

Nga: Përparim Kabo Më: 18 dhjetor 2017 Në ora: 10:37
Kabo

Turpërimi i Partizanit 5:0 me Luftëtarin është një ngjarje, një episod, apo një fatkeqësi sportive? Mendoj se është një gjë, që pritej të ndodhte. Para disa javësh u justifikuan me Iulianon, me Moxhin, me merkaton, me gjithçka, por një gjë shumë të rëndësishme e harruan. Harruan që Partizani, qysh kur është krijuar, ka pasur disa vlera unikale, si: dinjitetin sportiv, përgjegjësinë ndaj fanellës dhe vit pas viti respektimin e historisë së suksesit. Po këta, që luajnë sot, cilët janë? A kanë lidhje me këtë histori, a kanë gjak Partizani? Po sedër sportive, a kanë??!! Kam frikë se jo! I shikoja sot që ata nuk kanë ekip, pra nuk punojnë në grup, secili në mendje të tij; disa që përpiqen dhe disa me demek senator, që bëjnë kompetentin në fushë. Dhe tek i shihja, thoja “bobbbbbooooo”. Po tek Partizani ynë, juve nuk ju mbanin as për të kapur topat. Juve që ju ka ardhur koha të dilni në pension dhe ende nuk dini të ndaloni topin, apo të hidhni një krosim në zone. Partizani nuk është i juaji, turpi po! Disa nga ju duhen shporrur që tani dhe mos shkelin më në atë portë nderi dhe dinjiteti. Ajo fanellë nuk është bërë për shpatullat tyre, ato këpucë dhe ato geta nuk janë për ato këmbë.

Ju nuk u bëtë asnjëherë partizanas. Ju jeni ca rrogëtarë të pështirë. Largohuni një orë e më pare. Ai emër di se ku e ka vendin dhe se ku duhet të shkojë. Historia e di rrugën e saj, e di ku e ka lavdinë dhe suksesin. Partizani është i yni, jo i juaji! Djemtë që do t’i dalin për zot nuk do të vonojnë. Ju jeni nga ata që ju marrin në telefon dhe ju thonë toleroni, toleroni pa rënë në sy. Po kush guxonte ta bënte këtë te Partizani ynë?! Para disa vitesh iu turrën ta zhduknin, por nuk mundën. Tani janë me planin B, ta turpërojnë si një ekip leckë, siç thuhej dikur si “arkë kursimesh”, dhe disa prej jush po kontribuojnë për këtë gjë. Por jo, Partizani është i artë, edhe pse ju e turpëruat, sepse turpëruat Besim Fagun, Xhep Spahiun, Loro Boriçin, Gani Merjen, Lin Shllakun, Refik Resmen, Kolec Krajën, Robert Jasharin, Panajot Panon, Sabah Bizin, Agim Jankun, Safet Berishën, Agim Muratin, Lefter Millon, Sulejman Starovën, Ylli Shehun, Nand Ocellin, Ledjo Panon, Genci Tomorrin, Perlat Mustën, Neptun Bajkon, Jani Kaçin, Luke Shaqirin, etj. etj., janë me qindra. Ju pra, ju rrogëtarët, që e patë se si oshëtinte salla atë ditë prilli, kur festuam 70-vjetorin e klubit. Ishin atje të gjithë heronjtë e Partizanit, të gjallë dhe ëngjëj… Po ju, kush jeni, që ishit atje , kush kush…?I

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat