Rreth 40 mijë euro për Berishën

Futboll

Rreth 40 mijë euro për Berishën

Më: 11 janar 2018 Në ora: 10:52
Elvi Berisha

Transferimi i Elvi Berishës drejt Leganesit është shoqëruar me një mister të madh. Përllogaritjet fillestare të kompensimit të trajnimit bënin që Tirana të përfitonte diku te 90 mijë euro për 3 vitet që është aktivizuar tek ekipet zinxhirë të bardhebluve. Megjithatë, një kleçkë doli rrugës, çka solli edhe vonesa në regjistrimin e mesfushorit dhe, mbi të gjitha, e pengonte që të aktivizohej me spanjollët.

Edhe pse i riu nuk firmosi kurrë një kontratë profesioniste me bardheblutë, ai luajti si i tillë me ekipin, madje mori minuta edhe në Ligën e Europës kundër Makabi Tel Aviv. Spanjollët nuk po e federonin dot dhe për të evituar rrugën ligjore, e panë të udhës që të uleshin për të arritur një marrëveshje xhentëllmenësh. Pakti në këtë rast ishte “tresh”, pasi gjithçka u formalizua në kontratë jo vetëm me prezencën e përfaqësuesve të Tiranës dhe atyre të Leganesit, por edhe të familjarëve të 18-vjeçarit.

Pas negociatave paraprake, palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët sa u përket termave financiarë. Burime pranë gazetës zbulojnë se bëhet fjalë për një shumë që shkon diku te 40 mijë euro. Vetëm pas këtij akordi, Berisha kaloi te Leganes dhe i liruar plotësisht nga klubi “mëmë”, që në këtë rast është quajtur Tirana.

Ai ka qenë pjesë edhe pjesë e Apolonisë në moshë të re, megjithatë, duke iu referuar vetë deklaratës që Elvi Berisha ka dhënë muaj më parë për “Panorama Sport”, i ati ka paguar vlerën e kartonit. Në kësi kushtesh, të vetmit që kanë dalë të fituar nga ky transferim janë bardheblutë, të cilët, pasi shitën Mervielin dhe Akuan, arkëtojnë një shumë të mirë të hollash nga mesfushori fierak.

Nëse ky i fundit do të kishte firmosur kontratë profesioniste me Tiranën, sot edhe me shifrat do të flitej ndryshe, pasi kryeqytetasit do të përfitonin shumë herë më shumë. Talenti i Shpresave aktualisht është pjesë i Leganes B, që militon në divizionin e tretë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat