Tirana fiton “luftën” për stadiumin

Futboll

Tirana fiton “luftën” për stadiumin

Më: 8 shkurt 2018 Në ora: 14:07
Ilustrim

Tirana fiton “betejën” për stadiumin. Bardheblutë do të luajnë zyrtarisht të premten kundër Tomorit. Gjithçka është gati për duel, përveç paqartë- sive për formacionin. Nëse deri vjet kryeqytetasit vuanin për të bërë bashkë 11 titullarë, tashmë Ze Marias i është shtuar “dhimbja e kokës” prej lojtarëve cilësorë që ka në organikë dhe, mbi të gjitha, prej numrit të të huajve. Nga 5 ekstrakomunitarë që kanë në organikë, në fushë mund të zbresin vetëm 4.

Çështja është: kush do ta pësojë?! Një dilemë e cila u has edhe gjatë seancës së djeshme stërvitore. Toni Maveje e ka siguruar vendin e tij në 11-she tashmë. E njëjta gjë vlen edhe për dy sulmuesit Majkëll Ngoo e Junus Sentamu. Por, me afrimin e dy kenianëve Musa Mohamed dhe Kenet Muguna shtohet sikleti.

Dje janë bërë disa prova, por ishte e vështirë që të zbuloje se kush do të zbresë në fushën e “Selman Stërmasi”-t nesër. Duke qenë se trajneri brazilian do të dojë që t’iu shtojë minutat në këmbë përforcimeve të janarit, gjasat janë që ata ta nisin nga minuta e parë dhe logjikisht mund ta pësojë ndonjë prej sulmuesve. Ndoshta këto paqartësi do të marrin zgjidhje sot në mëngjes, kur do të mbyllen edhe përgatitjet për javën e 15-të.

Gjithsesi, mendohet që porta të mbetet “pronë” e Likës, ndërsa në mbrojtje të rikthehen lojtarët e krahëve, pra, Hoxhallari e Kërçiku, ndërsa në qendër do të jetë Turtulli me Musan. Para defensivës, veç dyshes klasike Daja-Karabeci, mund të luajë Muguna. Sulmi do t’i besohet Ngoosë, i cili “shpëtoi” skuadrën ndaj Turbinës, ndërsa në ndihmë të tij mund të jetë Greca me Çelhakën.

Sakaq, veç ushtrimeve dhe lojërave të ndryshe, bardheblutë dje u kushtuan vëmendje të veçantë edhe gjuajtjeve në portë. Prova pa fund për të gjithë futbollistët, përfshi këtu jo vetëm sulmuesit, por edhe mesfushorët e mbrojtësit. Stafi teknik uron që grupi të përmirësojë edhe më shumë “shënjestrën”, pasi kërkon që ndaj Tomorit të mos përsëritet ndeshja e fazës së parë, kur gjetën avantazhin me vuajtje të madhe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat