Baseli sfidon Cityn e Guardiolës

Futboll

Baseli sfidon Cityn e Guardiolës

Më: 12 shkurt 2018 Në ora: 16:08
Baseli sfidon Cityn e Guardiolës

Manchester City, fitues i Grupit F të Champions League, do të luajë në fushën e Basel mbrëmjen e së martës, në një ndeshje të vlefshme për /8-at e kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube. Që nga dhjetori i 2017-ës, kur futbolli zviceran është ndërprerë për shkak të pushimeve të dimrit, Basel ka luajtur vetëm dy ndeshje zyrtare, ndërsa City ka luajtur 14. Zviceranët kanë bërë një paraqitje shumë të mirë në Grupin A, ku janë pozicionuar mbrapa Manchester United pasi kanë grumbulluar 12 pikë në gjashtë ndeshje. Edhe pse Manchester City është favorit për të fituar, nuk duhet harruar fakti se Basel ka mundur United në “Old Trafford” gjatë fazës me grupe.

“Qytetarët” , nga ana tjetër, kanë qenë pothuajse perfekt në Champions League, duke humbur pikë vetëm në javën e fundit të fazës me grupe pasi kishin siguruar kualifikimin dhe vendin e parë. Duke parë se titulli në Premier League është pothuajse i sigurt, anglezët do të duan të bëjnë gjithçka është e mundur për të triumfuar edhe në Europë. Basel, që ka një vlerë 57 milionë euro të ekipit, nuk pritet të befasojë gjigantët e Premier League, të cilët paguan 65 milionë euro vetëm për Aymeric Laporte në merkaton e janarit. Një nga lojtarët më në formë të Pep Guardiola-s është Sergio Aguero, i cili ka shënuar 13 gola në dhjetë ndeshjet e fundit dhe katër në ndeshjen e kampionatit të luajtur në fundjavë.

Ai pritet të jetë kërcënimi numër një për mbrojtjen vendase. Lojtari më i rrezikshëm i zviceranëve do të jetë Dimitri Oberlin, i cili ka shënuar katër gola në këtë edicion të Champions League, dhe ka realizuar në ndeshjen e fundit të kampionatit. Për sa i takon statistikave, City ka shënuar nëntë gola në tri transfertat e luajtura deri tani në Champions League. Ata kanë shënuar 2 ose më shumë gola në 14 ndeshje të luajtura në transfertë në këtë sezon. Kjo do të jetë përballja e parë mes këtyre dy ekipeve, por Guardiola e ka viztuar më parë Basel-in dhe ka marrë një fitore 5-0 në 2008-ën me Barcelona-n. Ajo ka qenë edhe humbja më e thellë e pësuar nga zviceranët në Champions League. City ka arritur deri në gjysmëfinale sezonin e kaluar, ndërsa Basel nuk e ka kaluar asnjëherë këtë raund.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat