Rënia drastike e Interit, tashmë edhe Spalletti është në dyshim

Futboll

Rënia drastike e Interit, tashmë edhe Spalletti është në dyshim

Më: 18 shkurt 2018 Në ora: 11:27
Inter

Askush nuk do ta kishte menduar që një skuadër që në 15 javët e para të kampionatit grumbullonte 40 pikë pa pësuar humbje dhe kryesonte e vetme Serinë A, të kapitullonte në këtë mënyrë.

Në Genoa, Interi preku vërtet fundin. Tashmë zikaltrit janë kthyer në një skuadër pa identitet pa asnjë lloj vizioni për lojën dhe mbi të gjitha pa dëshirë dhe grintë. Të hënën në rast fitoreje të Lazios ndaj Veronës, Interi i Spallettit do të zbresë në vendin e 5-të, jashtë zonës Champions, që është objektivi kryesor i zikaltërve në këtë sezon. Me keq nuk mund të shkonte pasi ky Inter tashmë nuk funksionon më dhe duke patur parasysh edhe kalendarin që do të jetë shumë i vështirë në vazhdim, misioni Champions nga një objektiv i mëse i arritshëm mund të kthehet në një mision të pamundur për 18-herë kampionët e Italisë.

40 pikë të grumbulluara në 15 javë dhe vetëm 9 në 10 ndeshjet e fundit, askush nuk mund ta shpjegojë dot rënien drastike të këtij Interi. Fantazmat e të kaluarës nuk po i ndahen këtij Interi që edhe me Spallettin në stol po përsërit të njëjtin sezon si me Mancinin përpara 2 vitesh.

Ajo që shqetëson më shumë është fakti që skuadra nuk prodhon më lojë. Në portë është një Handanovic i përgjumur që në 2 goditje ndaj Genoas pëson 2 gola dhe shpallet me të drejtë lojtari më i dobët në fushë. Skriniar e ka humbur shkëlqimin e fillim sezonit, ndërsa për të mos folur për Borja Valeron, Gagliardinin e Vecinon që duket se i kanë fikur me kohë motorët për të mos i ndezur më. Spanjolli lëviz me një kilometër në orë në fushë ndërsa uruguiani dhe italiani thjeshtë shëtisin fanellën.

Candreva i rikthyer në formacionin titullar ndaj Genoas është hija e vetëvetës, një lojtar që nuk më besim te aftësitë e tij dhe që bën gjithçka keq në fushë. Asnjë gol në këtë sezon është një tregues që futbollisti i kombëtares italiane ka humbur sharmin e dikurshëm. Mungesa e Icardit për shkak dëmtimi tashmë po kthehet vërtetë në një problem të madh sepse nga Eder, Karamoh e Rafinha nuk mund të presësh shumë.

Luciano Spalletti që në fillim u duk se ishte njeriu i duhur për të ringritur Interin tashmë është në pikëpyetje sepse as ai nuk po bën më mirë se parardhësit e tij. Vetë trajneri nuk mendon se pozicioni i tij  është në diskutim por i pyetur mbi këtë çështje, Spalletti e kalon topin te drejtuesit pasi janë ata që vendosin ndërkohë që sa herë që i jep mundësia mbron me mish e me shpirt futbollistët e tij, në mënyrë që situata të mos përkeqësohet akoma më shumë. Ky Inter gjithsesi nuk premton dhe e ardhmja parashikohet me shumë dritë-hije.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat