‘Djajtë’ para një misioni të vështirë, kundër Sevillës

Futboll

‘Djajtë’ para një misioni të vështirë, kundër Sevillës

Më: 21 shkurt 2018 Në ora: 10:43
Lojtarët e Manchester Utd

Manchester Utd është përgatitur maksimalisht për të marrë rezultat të favorshëm (sonte 20.45) në ndeshjen e parë të tetës së finales së Champions League, që të jenë sa më të qetë për sfidën e kthimit në Old Trafford. Pa dyshim se stadiumi “Ramon Sanchez Pizjuan” do të jetë shumë i nxehtë për “Djajtë e Kuq”, kur kihet parasysh se Sevilla si vendas është shumë e fortë dhe po ashtu ka edhe lojë shumë të shpejtë. Trajneri Jose Mourinho do të orvatet me një lojë të fortë në mbrojtje e me kundërsulme që sa më parë ta ndëshkojë skuadrën e Sevillës. Fituesi i Europa League për edicionin e kaluar, pa presion do të shkojë në Sevilla, me të vetmin synim që të dalin të pamposhtur. Sevilla ka përparësinë e fushës dhe pretendon fitore.

Bastet në një farë forme e heqin favoritë Manchester Utd ani se është si mysafirë, por Sevilla si gjithmonë di të befasojë dhe të shënojë rezultate të mira. E para, Mourinho ka marrë dy lajme të mira para ndeshjes së sotme. Në stërvitje me skuadrën e parë janë kthyer dy superlojtarët, Paul Pogba dhe Zlatan Ibrahimoviç. Të dy janë stërvitur dje dhe pritet të jenë gati për ndeshjen.  Synimi i Morinhos është të mos pësojnë e të shënojnë kundër rivalit, që do të ishte një rezultat fantastik për sfidën e kthimit. Megjithatë, nga ana tjetër,  skuadra spanjolle ka hesapet e veta dhe kërkon triumfin. Trajneri i Sevillës, Vincenzo Montella është shumë i lumtur që do të luajnë ndaj Manchester Utd. Sipas tij, kjo ndeshje do të jetë shumë e vështirë, e komplikuar. 

Ai insiston se skuadra e tij duhet të luajë me vetëbesim dhe dëshirë kundër anglezëve. “Jam shumë i emocionuar me ndeshjen, e cila do të jetë e vështirë dhe e komplikuar”, tha Montella.  Trajneri i Sevillës kërkon që të jenë të përgatitur në çdo aspekt sidomos psikikisht, e cila do të luajë një rol të madh ndaj rivalit. “Ne duhet të jemi gati psikikisht dhe fizikisht. Ne kemi besim te lojtarët, të cilët duhet të luajnë me kokë dhe dëshirë të madhe”, tha ai. Në ndeshjen tjetër që luhet sonte në orën 20.45, pa dyshim se do të ketë emocione në mes të tifozëve, sepse Shakhtar kërkon me çdo kusht fitore kundër Romës, kjo e fundit beson e shpreson se do të dalin të pamposhtur dhe të jenë më të qetë për sfidën e kthimin në “Olimpico”.  Në stadiumin “OSC Metalist” në Kharkiv, pritet një atmosferë e zjarrtë, ndërsa Roma kërkon vetëm fitore edhe pse do ta ketë të vështirë, kur dihet se ukrainasit si vendas janë mjaft të papërshtatshëm, mbase edhe klima varet se a do t’iu shkojë përshtati romakëve.  Te dyja skuadrat janë të motivuara dhe gjasat për fitore pothuajse i kanë të barabarta, me përjashtim që për një nuancë hiqet favoritë Shakhtar për shkak të përparësisë së fushës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat