“Skënderbeu i të gjithë shqiptarëve”, protestë e peticion nga tifozët korçarë

Futboll

“Skënderbeu i të gjithë shqiptarëve”, protestë e peticion nga tifozët korçarë

Më: 21 shkurt 2018 Në ora: 14:13
Pamje nga protesta

Nuk është asnjë parti politike apo fushatë elektorale me premtime boshe, që e ka nxjerrë “qytetin e serenatave” të gjithin në rrugë, mesditën e sotme. Eshtë futbolli, magjia e tij, Skënderbeu, realiteti më i bukur e më i prekshëm që mund të ketë shijuar çdo korçar në vitet e fundit. Mijëra qytetarë dhe mbështetës të skuadrës kuqebardhë, për të cilën inspektorët e UEFA-s kanë dhënë pretencën e 10 viteve pezullim nga Kupat e Europës dhe gjobë 1 milion euroshe, kanë dalë në një demonstrim në Korçë, ku është lexuar peticioni i mëposhtëm dhe ka nisur të firmoset prej të gjithëve, para se t’i dërgohet qeverisë europiane të futbollit.

Teksti i peticionit:

Përmes këtij peticioni duam t’i kërkojmë UEFA-s jo vetëm që të mos dënojë ekipin e Skënderbeut, pasi ne jemi të bindur tek cilësitë dhe vlerat e padiskutueshme të skuadrës dhe përkushtimit sportiv e moral të saj e drejtuesve, por edhe të marrin fund spekullimet ndaj kësaj skuadre, që është shndërruar në krenarinë europiane të një vendi të tërë! Ky është një peticion, që drejtësia të mos veprojë si zakonisht, si një tren që vjen kurdoherë me vonesë, por të marrë sinjale reale, sidomos nga ne tifozët, që futbollin e shohim si një art që respektohet në adhurim!
Futbolli për Korçën është më shumë se një lojë, është besim. Kur mbaron ndeshja e futbollit, kur përfundojnë nëntëdhjetë minutat e kohës së rregullt, ajo çka mbetet është pasioni dhe gëzimi, bindja që lojtarët në fushë kanë dhënë gjithçka për të respektuar fanellën që veshin. Qyteti i Korçës jeton me futbollin. Jemi Skënderbeu dhe kjo skuadër nuk është thjesht një emblemë, është një histori e tërë lavdie dhe krenarie. Në 8 vitet e fundit, Skënderbeu ka qenë gëzimi i një qyteti.

Në Korçë të gjithë kanë besuar dhe besojnë te loja e ndershme e kësaj skuadre, e cila ka fituar 6 kampionate kombëtare dhe ka marrë pjesë 2 herë në grupet e “Europa League”. Kemi nevojë për mbështetje dhe jo për një dënim, pasi ky do të ishte dënim jo vetëm i të gjithë futbollit shqiptar, por i çdo tifozi dhe të apasionuari pas futbollit, që vlerëson ndershmërinë e futbollistëve, që japin shpirtin në fushën e blertë. Nëse ndiqet rruga e dënimit të pamerituar e të mbështetur mbi spekullime, ka për t’u ndëshkuar një qytet i tërë, një histori krenarie e futbollit shqiptar në vitet e fundit.
Drejtësia dhe e duhura është e tillë edhe kur ngrihen zëra kundër, që kërkojnë të hedhin dyshime të pabaza. Prandaj, me respekt ju kërkojmë të mos na e hiqni këtë histori suksesi. Skënderbeu u krijua në vitin 1909, por vetëm në vitin 2015 mundi që të afrohet në familjen europiane, duke bërë që ne si qytetarë të mund ta prekim këtë endërr. Arritjet e Shqipërisë në futboll janë shumë të varfra, aq sa kujtohen vetëm 2 momente kryesore: Kualifikimi historik i kombëtares në kompeticionin madhor “Euro 2016” dhe përfaqësimi i 2-fishtë i Skënderbeut në “Europa League”.

Në kohën kur UEFA kërkon të zgjerojë futbollin në çdo shtet, dënimi i Skënderbeut do të sillte një goditje të rëndë për futbollin në Shqipëri, duke e detyruar padrejtësisht që gjithçka të rinisë nga e para. Futbolli shqiptar falë mbështetjes së UEFA-s po i afrohet standardeve më të mira europiane, Skënderbeu në gjithë këtë histori nuk është lakuar, por është skuadra që ka zbatuar pikë për pikë çdo rregull, duke krijuar një frymë pune vizionare, që shikon te ndershmëria sportive kushtin për të triumfuar në sport. Skënderbeu për Korçën është gjithçka, ndaj dhe ne sot kërkojmë drejtësi, vlerësim të djersës së derdhur ndershmërisht në fushë nga lojtarët në vite dhe jo dënim! Skënderbeu nuk iu përket vetëm korçarëve, por është skuadra e gjithë shqiptarëve. Në asnjë rast, në gjithë historinë e skuadrës, nuk ka patur, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lidhje me lojën e pandershme. Na ndihmoni të ecim përpara në këtë rrugë europiane! Na jepni të drejtën dhe drejtësinë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat