Dalipi: Do të luftojmë deri në fund për Kupat e Europës

Futboll

Dalipi: Do të luftojmë deri në fund për Kupat e Europës

Më: 23 shkurt 2018 Në ora: 14:17
Dalipi

Partizani do të ndeshet me Skënderbeun, në sfidën e javës së 21-të të Superiores. Të shtunën, në orën 17:00, në stadiumin e Korçës, kryesuesit e Superiores dhe “demat” do të “përplasin brirët”, me synime maksimaliste, marrjen e tri pikëve. Të kuqtë kryeqytetas vijnë pas humbjes me përmbysje në shtëpi ndaj Kukësit, ndaj kanë nevojë jetike për autokritikë të menjëhershme. Këtë e pranon edhe zv.trajneri Klevis Dalipi, që ka dalë sot në konferencë për shtyp dhe ka nënvizuar: “Jemi në prag të ndeshjes ndaj Skënderbeut, një transfertë shumë e rëndësishme. Në të tilla ndeshje motivimi dhe dëshira është e madhe. Ndaj, nuk kam çfarë të them sa i takon angazhimit të skuadrës sonë. Mund t’ju them se jemi përgatitur shumë dhe do të të japim gjithçka për suksesin në këtë transfertë. Kuptohet, në futboll nuk mjafton vetëm dëshira dhe lufta sportive, por edhe kthjelltësia e qartësia. Ne e kemi treguar se në këto drejtime nuk vuajmë, por edhe cilësia teknike duhet shfrytëzuar nga lojtarët, sidomos në finalizuar. Kujtojmë ndeshjen e vitit të shkuar, kur edhe fituam në Korçë. Duhet të shkojmë me mendimin pozitiv për të marrë një rezultat sa më të mirë ndaj Skënderbeut.

Sulmi? Ne kemi lojtarë shumë të mirë, por duhet t’i shfrytëzojmë cilësitë e tyre. Asani, Bardhi, Trashi, apo edhe Progni, që ka luajtur si sulmues, shpresoj të jenë sa më efektivë dhe të na udhëheqin drejt golave. Duam t’u marrim më të mirën këtyre lojtarëve, që do të luajnë në ofensivë ndaj Skënderbeut. Duhen sa më pak gabime dhe të jesh efikas në mundësitë që të jepen. Terreni atje na favorizon, pasi është shumë i mirë. Gjykimi? Nuk dua të merrem me këtë çështje. E përsëris që ne, në kulturën tonë, nuk i edukojmë lojtarët që të merren me gjykimin. Kemi punuar që lojtarët të jenë të qetë dhe të japin më të mirën në fushë, këtë anë ta lënë mënjanë. Merret klubi me këtë pjesë. Për mungesat e kundërshtarit nuk jam shumë i informuar, por sot kam marrë vesh që Lilaj dhe Jashanica janë të dëmtuar. Skënderbeu ka lojtarë të mirë në përbërje, një stol solid, ndaj do të marrë masat dhe do të përgatitet sa më mirë. Neve na kthehen Batha dhe Trashi, që janë lojtarë inteligjente dhe që dinë të menaxhojnë situatat delikate në momente të caktuara.

Golat e Vilës, Malotës dhe Filit? Na vjen mirë që kanë shënuar, e kanë bërë këtë gjë edhe sa ishin te ne. Janë atje ku janë, që të japin më të mirën. Objektivi? Do të luftojmë deri në fund për Kupat e Europës. Matematika na lejon. Pikët janë aty, ndaj duhet të marrim sa më shumë. Dënimi Skënderbeut? Nuk dua të merrem me këtë gjë. Di të them që nuk i shërben futbollit shqiptar ai dënim. Ne duhet të fokusohemi te ndeshja jonë, sepse është transfertë është kyçe. Pikët që lamë me Kukësin do t’i rikuperojmë, pavarësisht vështirësisë. Sulmi ndaj trajnerit Ernest Gjoka në Shkodër? E njoh shumë ambientin atje dhe, për aq sa kam luajtur, kam kaluar mirë. Jam i surprizuar. Nuk duhet të ndodhin gjëra të tilla, siç ndodhi me Nestin. Nuk e prish dot imazhin e Shkodrës një individ. Uroj të mos përsëriten më ngjarje të tilla”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat