Kukësi rigjen fitoren në shtëpi, Kamza bën detyrën në Lushnjë

Futboll

Kukësi rigjen fitoren në shtëpi, Kamza bën detyrën në Lushnjë

Më: 24 shkurt 2018 Në ora: 16:54
Kukesi

Asnjë surprizë në dy ndeshjet që ngritën siparin e javës së 21-të të Kategorisë Superiore. Kukësi iu fal një goli të mesfushorit gjeorgjian Dzaria për të mposhtur 1-0 Laçin që luajti për rreth 30 minuta me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të brazilianit Esquerda. Kamza ndërkohë bëri detyrën në sfidën tjëtër duke mposhtur 3-2 Lushnjën në Roza Haxhiu, një sukses ky që e ngjiti skuadrën e Ndreut në vendin e 4-t të renditjes.

Pas 6 ndeshjeve pa fitore në ‘Zeqir Ymeri’ në ndeshjet e kampionatit, Kukësi mori një sukses me shumë vlera në garën për një vend në Kupat e Europës duke blinduar vendin e tretë. Skuadra e Peter Pacult e dominoi nga fillimi e deri në fund sfidën por golin e fitores e gjeti vetëm në minutën e 80-të, kur Irakli Dzaria devijoi drejt rrjetës një top të mbetur në zonë pas grushtimit jo shumë të mirë të portierit Selmani. Por Laçi mund të kishte marrë një pikë në këtë transfertë të vështirë nëse Xhixha në minutën e fundit shtesë do të ishte treguar i saktë, i vetëm përballë Koliçit.

Kamza nga ana tjetër bëri detyrën përballë një Lushnje që tashmë e ka marrë rrugën drejt Kategorisë së Parë. Skuadra nga periferia e kryeqytetit zhbllokoi shifrat me Xhulio Mehmetin në minutën e 33-të, por reagimi i myzeqarëve ishte i shpejtë me Mikel Cankën që barazoi rezultatin pas 4 minutash. Megjithatë në pjesën e dytë Kamza e dërgoi edhe 2 herë të tjera topin në portën e mbrojtur nga Spaho, fillimisht me shtatlartin serb Raçiç dhe më pas me Sebino Plakun. Në fund kishte vend edhe për golin e dytë personal të Cankës që shërbeu thjeshtë për statistika.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat