Drita mund Llapin, merr kreun në elitë! Gjilan ndëshkon Lirinë

Futboll

Drita mund Llapin, merr kreun në elitë! Gjilan ndëshkon Lirinë

Nga: Kemajl Goca Më: 25 shkurt 2018 Në ora: 15:07
Pamje nga një ndeshje

Drita nga Gjilani në saje të goldallimit më të mirë se Prishtina, tani është në krye të tabelës me 36 pikë të mbledhura pas 20 jave në elitën e futbollit. Drita ngadhënjeu me rezultat 1:0 ndaj Llapit nga Podujeva, në ndershjen që u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti”. Drita importoi tri pikë, kurse Llapi mbetet pa pikë në vatër të vet, duke zhgënjyer edhe tifozët e saj “Legjendat”.  Llapi lëshoi mundësinë e artë që të rikthehet në krye të renditjes, nuk e shfrytëzoi barazimin (0:0) e Prishtinës në Gjakovë me Vëllaznimin. Në minutën e 19-të, Liridon Leci për pak sa nuk shënon, por për fat të keq të tij e për fat të mirë të llapjanëve, tërthorësja e ndali topin. Në minutën e 31-të,  Astrit Fazliu del vetëm me portier,  por më i suksesshëm doli portieri Beqiri.  Golin e fitores e shënoi Xhevdet Shabani pikërisht në minutën e 49-të, duke tronditur vendasit. 

Në minutën e 70-të, Drita gati sa dyfishoi epërsinë, por Zeqiri largon topin nga vija e fundore. Pesë minuta pa përfunduar takimi, ndeshja u ndërpre për pak çastet, sepse tifozët “Legjendat” e Llapit dhe “Intelektualët” e Dritës tentuan t’i qërojnë hesapet mes vete, por policia reagoi me kohë dhe u shmang më e keqja.  Drita kthehet ballëlart, e cila kryeson me 36 pikë, kurse Llapi bie në vend të tretë me 34 sosh. Në stadiumin e qytetit në Gjilan, sfida mes Gjilanit dhe Lirisë nga Prizreni përfundoi me fitoren e vendasve me rezultat 1:0. Në një terren të rënduar paksa i mbuluar edhe me borë, vendasit fituan me plotë meritë. Në minutën e 90-të, Gëzim Rusi depërtoi nga krahu i majtë e asistoi zhagas kur Armend Thaçi nga rreth 7-8 metra tund portën e Lirisë, 1:0. Gjilani renditet në pozitën e pestë me 32 pikë dhe Liria dy vende më poshtë me 31 sosh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat