KF Drita nuk gjunjëzohet

Futboll

KF Drita nuk gjunjëzohet

Nga: Nexhmedin Bunjaku Më: 7 mars 2018 Në ora: 12:18
Nexhmedin Bunjaku

Debate

Po të mos ishin befasitë e këtilla si ajo që ndodhi, futbolli edhe nuk do të ishte aq atraktiv. Pa dashur të hyjë në detaje të një analize të lojës, por edhe pa dashur që ta gjykoj apo mbrojë ndokënd, po ju drejtohem si veteran i KF Dritës. Të nderuar kryesi, drejtorat, shtabi teknik, kapiten, futbollist dhe tifozeri: Historiku i klubit tonë të zemrës nëpër dekada, ka qenë i dhimbshëm dhe me shumë sakrifica për vetë emrin e klubit që ishte halë në sy për bandat sllavokomuniste.

Futbollistët dhe njerëzit për rreth klubit, nga dashuria e madhe që kishin për fanellën dhe vetë klubin, më shumë mund dhe sakrificë, nuk e lejuan shuarjen e këtij klubi dekadë pas dekadë dhe gjithmonë krenar me emblemën e klubit. Kryetar dhe bashkëpunëtorë tuaj të nderuar; ju jeni ata që nga djersa juaj po ndani mjete për klubin, për t’u ofruar kushte sa më të mira futbollistëve, shtabit teknik dhe të gjithëve brenda klubit, ndihma juaj ka vlerën edhe më të madhe kur kihet parasysh kriza globale dhe ju z. kryetar Murseli po arrini me sukses ti plotësoni të gjitha kushtet që i duhen një klubi të madh dhe me traditë dhe për këtë duhet të ju jeni mirënjohës të gjithë.

Futbollist dhe trajner të nderuar; ju jeni gjenerata e radhës që po e bartni fanellën e KF Drita, por njeherit bartni edhe përgjegjësi të madhe ndaj gjeneratave të kaluara, ndaj prijësve të klubit dhe armatës së madhe të tifozerisë “Intelektualët”, qytetarëve dhe Anamoravës, bartni përgjegjësi edhe ndaj paraardhësve tuaj që djersiten po këto fanella që i bartni ju dhe po me këtë logo, po këto ngjyra si simbol drite dhe qiell. Ardian (Limani), po ju drejtohem juve si kapiten pasi përfaqëson ekipin:

Te bartni fanellën e KF Drita është nderë dhe krenari, duhet të keni guximin dhe besimin në vetvete si individ dhe shumë më shumë si ekip, të ndieni dashuri për klubin dhe ti bindeni kërkesave të klubit, mos të harroni në asnjë moment ata që sakrifikuan dhe po sakrifikojnë për klubin, mos të harroni në asnjë moment se përfaqësoni një armatë të madhe të tifozerisë ‘Intelektualet’ dhe vetë Anamoravën. Një ndeshje e humbur e çfarëdo karakteri të jetë ajo, nuk guxon të gjunjëzon një klub dhe një ekip siç është KF Drita, nëse është humbur një betejë, nuk e guxojmë të ikim sepse lufta vazhdon, nëse sot na keni dëshpëruar, nesër do të na gëzoni.

Mblidhni forcën dhe guximin, betohuni në logon e klubit se do i hyni çdo beteje me moral të lartë, të motivuar për fitore si kurrë më parë, me vetëbesim të plotë vazhdoni luftën dhe në fund të dilni fitimtar sepse vetëm kështu do na gëzoni, do na bëni krenar dhe do e tregoni dashurinë ndaj klubit. Armata e madhe e tifozerisë ‘Intelektualet’ është betuar që gjithmonë do të jetë krah i fortë i klubit, pra i juaj, dhe për hir të kësaj, kokën lart dhe të gjithë të bashkuar të rrugëtojmë drejtë sukseseve të reja sepse vetëm me dashuri ndaj klubit dhe me suksese do i shpërbleni të gjithë ata që sakrifikuan dhe po sakrifikojnë për klubin tonë të zemrës. Ti kurrë nuk do të ecësh vetëm.

Autori është ish futbollist i Dritës nga Gjilani dhe ish gjyqtar i futbollit

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat