Shtypi francez godet keq Parisin

Futboll

Shtypi francez godet keq Parisin

Më: 7 mars 2018 Në ora: 14:00
Ilustrim

PSG-ja është eliminuar në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve për këtë edicion, edhe pse ka bërë “transferime të pazakonta”. Prestigjiozja franceze “L’Équipe” e përmbledh situatën në titullin e vet kryesor: “E gjitha kjo për asgjë”. Më tej kritikon Unai Emery për humbjen e mbrëmshme (1:2), pas humbjes së ndeshjes së parë në “Bernabeu”, duke nënvizuar se trajneri spanjoll dhe futbollistët e tij “treguan kufizimet e tyre në këtë kompeticion”.
Për këtë revistë sportive, ekipi francez “e kuptoi se çfarë e ndan atë nga një kampion europian, ai kurrë nuk e dha përshtypjen se është kërcënim dhe tregoi largësinë e madhe që e ndan nga Real Madridi”. “L’Equipe”, përveç theksimit të humbjes, vërteton se epoka e Unai Emery ka përfunduar. Ajo e “mat” trajnerin aktual të PSG-së me Zidane, të cilin e lavdëronë për shkak se “mori vendime të forta dhe doli fitimtar”.
“Le Parisien” jo vetëm që gjykon performancën e dobët në Ligën e Kampionëve, por e konsideron PSG-në “një Europë e vogël. Një ekip, që ka bërë investimin stratosferik ekonomik, rezulton bast i humbur. Dhe kjo humbje shënon kufijtë realë të PSG-së”. Kjo e përditshme franceze jo vetëm kritikon gjigandët e Ligue 1, por vlerëson lart edhe yllin portugez: “Ronaldo ka provuar të jetë lojtari më i mirë në botë, bosi i vërtetë është ai”.
“Real Madridi shuan ëndrrat e një PSG të vogël”, – është titulli i konservatores “Le Figaro”, e cila flet për “natën e makthit” të ekipit francez, i cili “e respektoi shumë kundërshtarin. Një eliminim që kërcënon të jetë fatal për Emery”, -shton gazeta në fjalë, që konsideron se ditët e trajnerit spanjoll në krye të PSG-së janë të numëruara tashmë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat