Europa League rikthehet sot

Futboll

Europa League rikthehet sot

Më: 8 mars 2018 Në ora: 12:10
Europa League

Europa League rikthehet sot me takimet e para të fazës së 1/8-ave, me 8 takime, të ndara në dy faza oraresh.

Në orën 19:00 vëmendja do të jetë në ‘San Siro’, ku Milani do të presë Arsenalin, në atë që që u cilësua edhe si finalja e parakohshme e këtij kompeticioni. Kuqezinjtë e Gattusos synojnë Europa Leaguen, si një rrugë për të shpëtuar sezonin, pasi përveç trofeut, do të siguronin edhe kualifikimin në Champions, që vështirë se mund ta realizojnë nëpërmjet kampionatit. E njëjta situatë ekziston edhe te Arsenali, që është jashtë gare në çdo kompeticion tjetër, ka shuar shpresat për të zënë një vend në 4-shen e parë të renditjes së Premier Leagues dhe tani kërkon Europa Leaguen, si shpëtim të sezonit, por edhe pankinës së Wengerit.

Po në orën 19:00, Atletico e Madridit do të presë në ‘Wanda Metropolitana’ skuadrën ruse të Lokomotivës së Moskës, që në fazën e 1/16-ave, eliminuan Nicen e Balotellit. Skuadra e Simeones gëzon një formë mjaft të mirë, por vjen pas një humbjeje në kampionat ndaj Barçës, që i ‘vrau’ shpresat për titull dhe tani do të përqendrohet në Europa League, për të mos e mbyllur sezonin pa trofe. Synimi i madrilenëve është që të mbyllin llogaritë që në takimin e sotëm, për të udhëtuar të qetë në Rusi, javën e ardhshme.

Edhe Borusia e Dortmundit, një tjetër favorite për të triumfuar në këtë kompeticion, do të zbresë në fushë në orën 19:00, teksa në ‘Signal Iduna Park’ do të presë austriakët e Salzburgut, një kundërshtar aspak komod për verdhezinjtë. Sfida tjetër e orës 19:00, është ajo mes CSKA-së së Moskës dhe francezëve të Lyonit.

Në orën 21:00, sërish në Itali, por këtë herë në kryeqytet, Lazio do të presë Dynamon e Kievit në ‘Olimpico’. Bardhekaltrit kanë zbehur disi ecurinë e tyre pozitive, me rezultatet negative të javëve të fundit, ku veçohet humbja në sekondat e fundit ndaj Juventusit, por edhe eliminimi nga Kupa e Italisë, pas ekzekutimit të penalltive, ndaj Milanit. Në sfidën e sotme, Inzaghi vjen me formacion të plotë dhe do të synojë jo vetëm fitoren, pro edhe një rezultat të favorshëm, pasi ukrainasit janë një skuadër shtëpie dhe në Kiev mund t’i hapin punë çdo lloj kundërshtari.

Në ‘Velodrome’ Marseille do të presë Athletic Bolbaon, në një sfidë mjaft interesantë të kësaj mbrëmjeje të Europa Leagues. Skuadra e Rudi Garsias vjen në një moment mjaft delikat në kampionat dhe fill pas eliminimit në Kupë, nga PSG-ja, ndaj do të kërkojë të ‘shkelmojë’ krizën, duke marrë fitore ndaj Bilbaos. Nga ana tjetër, baskët kanë treguar goxha probleme këtë sezon, pavarësisht se ia kanë dalë të mbërrijnë deri këtu, ndaj janë pikërisht francezët, favoritët për t’u kualifikuar.

Në Leipzig, Roberto Mancini do të ketë mundësinë të vërë në vend nderin e italianëve, pasi skuadra e drejtuar prej tij, Zenit, do të përballet me gjermanët. Vendasit janë një ekip pa shumë eksperiencë në arenën europiane, pasi ky është sezoni i parë që marrin pjesë, por kanë element mjaft cilësorë në përbërje dhe do të kërkojnë t’i shkojnë deri në fund kompeticionit.

Sfida e fundit e mbrëmjes, do të zhvillohet në Lisbonë, ku Sportingu vendas do të presë çekët e Victoria Plzenit, në nëj sfidë ku portugezët janë dukshëm favoritë për t’u kualifikuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat