Fitorja nuk shuan mllefin, Kukësi shpall “non grata” arbitrin Alla

Futboll

Fitorja nuk shuan mllefin, Kukësi shpall “non grata” arbitrin Alla

Më: 10 mars 2018 Në ora: 22:39
Pamje nga ndeshja

Pavarësisht se kanë fituar në shtëpi ndaj Teutës me rezultatin 3-2, drejtuesit e skuadrës së Kukësit, janë shprehur të pakënaqur me arbitrimin, madje duke reflektuar objeksione të forta ndaj gjyqtarit Alla. Ky i fundit, sipas drejtuesve verilindorë, ka mohuar penallti në favor të vendasve, sikurse dhe ka toleruar ndërhyrjet e futbollistëve të Teutës. Pakënaqësi këto të bëra publike nga zyrtarët e Kukësit, përmes rrjeteve sociale. Në reagimin e tyre, drejtuesit e ekipit kampion në fuqi, kanë njoftuar se do të kërkojnë pranë komisionit të arbitrimit, që arbitri Alla të mos gjykojë më ndeshjet e Kukësit.

“REAGIM Futboll Klub Kukësi reagon ndaj gjykimit jokorrekt të gjyqtarit Alla, në takimin Kukësi-Teuta, luajtur sot në “Zeqir Ymeri”. Gjykim jokorrekt, penallti të mohuara, tolerime ndaj ndërhyrjeve të lojtarëve të Teutës, ndaj lojtarëve tanë. Gjithashtu stimulimet e njëpasnjëshme të lojtarëve miq, sharjet e fyerjet nga bankina e Teutës drejt tifozerisë kuksiane janë disa nga ato që u panë në këtë takim. Në ditët në vazhdim klubi do të dërgojë një material të detajuar me fakte dhe video në FSHF dhe pranë komisionit të arbitrimit. Ndër të tjera do të kërkohet, që gjyqtari Alla të mos arbitrojë ndeshjet e Kukësit. FUTBOLL KLUB KUKESI”, citon reagimi i zyrtarëve të Kukësit, i publikuar përmes rrjeteve sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat