Messi bëri ndryshimin

Futboll

Messi bëri ndryshimin

Më: 15 mars 2018 Në ora: 11:18
Lionel Messi

Antonio Conte pranoi se skuadra e tij u mund nga lojtari më i mirë në botë, pas dopietës së Lionel Messit, që i dha Barcelonës kualifikimin në erekfinale të Ligës së Kampionëve. Kampionët e Premier League vinin nga barazimi 1-1 në ndeshjen e parë, në “Stamford Bridge”, muajin e kaluar, por pesë herë fituesi i “Topit të Artë” e shkatërroi bllokadën e bluve që në minutën e tretë të ndeshjes së kthimit në “Camp Nou”. Ylli argjentinas shënoi dy herë në portën e Thibaut Courtois, duke rrumbullakosur 100 gola në Champions, ndërsa asitoi edhe goditjen e zjarrtë të Ousmane Dembele, që realizoi në minutën e 20-të. “Unë mendoj se sonte dhe në këto dy ndeshje, Messi bëri ndryshimin. Siç e dini mirë, ne po flasim për lojtarin më të mirë në botë, – tha Conte për “BT Sport”. – Mendoj se gjatë dy ndeshjeve ishim paksa të pafat. Ne arritëm katër herë pranë golit dhe në momentet më të mira ata na shënuan. Katalanasit ishin shumë, shumë klinikë. Sonte mendoj se kemi krijuar shumë shanse, por nuk i kemi shfrytëzuar ato”.

Ishte një lojë për t’u harruar e Courtois në veçanti, por vëmendja e Conte u tërhoq drejt yllit të shfaqjes. “Ne po flasim për një lojtar që çdo sezon përfundon me 60 gola dhe shumë asiste, – vazhdoi trajneri italian. – Nuk po flasim për një lojtar të nivelit të lartë, por super të lartë. Ai e bëri ndryshimin. Por, në të njëjtën kohë, nuk kemi asnjë keqardhje. Dua të jem i kënaqur për angazhimin e lojtarëve të mi. Jam shumë krenar, sepse ata dhanë gjithçka sonte dhe ndoshta nuk e merituam të humbisnin 3-0”.
Conte ishte i zemëruar me penalltinë e padhënë për ndërhyrje të gabuar ndaj Marcos Alonso: “Nuk e pashë atë moment përsëri në TV, por gjatë lojës, nga stoli, për mua ishte e qartë një penallti. Sidoqoftë, tani nuk do të ankohem. Ne duhet të ecim përpara dhe të përgatisim ndeshjen kundër Leicester, në çerekfinale të “FA Cup”, të dielën”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat