Lista e Shqipërisë kundër Norvegjisë

Futboll

Lista e Shqipërisë kundër Norvegjisë

Më: 16 mars 2018 Në ora: 11:54
Lista

Trajneri i ekipit tonë kombëtar, Christian Panucci, ka publikuar sot listën e lojtarëve, që do të grumbullojë për ndeshjen miqësore të 26 marsit, të cilën do ta luajë në “Elbasan Arena” ndaj Norvegjisë. Sikundër është bërë tashmë traditë, trajneri e publikon listën me lojtarët disa ditë përpara, teksa më pas do të ketë daljen e tij publike, në një konferencë për shtyp, ditën e hënë, në orën 11:00. Në listën e trajnerit kuqezi për këtë ndeshje shikohen edhe grumbullimet e disa lojtarëve të rinj, që vijnë për herë të parë në kombëtare, në një kohë që një pjesë tjetër mungon edhe për shkak dëmtimesh. Grumbullimi i skuadrës përfaqësuese do të nisë të hënën, më datë 19 mars, në resort “Tropikal”, në Durrës. Ditën e hënë do të bëhet publike edhe programi i plotë mediatik dhe stërvitor për ekipin kombëtar të futbollit, për gjithë javën e grumbullimit. Mbetet jashtë, mesa duket përfundimisht, kapiteni Ansi Agolli. Bujar Lika është prurja më e re. 25 vjeçari luan si mesfushor i djathtë, është pjesë e Grasshoppers në Zvicër. Sikurse shihet, në kombëtare janë ftuar edhe lojtarët e Shpresave, Herdi Prenga, Ylber Ramadani dhe Enis Gavazaj. Nga të ftuarit e përhershëm mungojnë Agolli, Basha, Veseli, Llullaku, Memushaj dhe Kaçe. Natyrisht, duke qenë ndeshje miqësore, përplasja me Norvegjinë do t’i shërbejë trajnerit Panucci për të parë nga afër disa lojtarë të rinj, që mund të jenë pjesë e fushatës kualifikuese për “Europianin 2020”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat