Kukësi-Vllaznia, trajneri Pacult pret një ndeshje të vështirë

Futboll

Kukësi-Vllaznia, trajneri Pacult pret një ndeshje të vështirë

Më: 19 mars 2018 Në ora: 10:18
Peter Pacult

Kukësi do të presë sot në shtëpi Vllazninë. Një ballafaqim i ethshëm, ku të dyja skuadrat kërkojnë pikët maksimale. Verilindorët për të konsoliduar pozitat në vendin e dytë të klasifikimit, ndërsa kuqeblutë për t’i qëndruar larg zonës së mbijetesës në Superiore. Trajneri i kampionëve në fuqi, Peter Pacult, duke folur në prag të kësaj sfide, ka nënvizuar:“Kam informacione të bollshme për Vllazninë dhe duket se në merkato ka marrë lojtarë cilësorë, ndaj dhe në ndeshjet e fundit ka treguar një formë të mirë. E di që është ndeshje e vështirë, por do të bëjmë maksimumin. Vllaznia ka mbrojtje të mirë dhe luan shumë me kundërsulm. Mendoj se nuk duhet të kemi frikë nga kundërshtari. Duhet të kemi vetëm respekt për të. Gjendja e ekipit tonë? Në fakt, jemi të shqetësuar, pasi kemi 3 lojtarë me nga tre kartonë të verdhë. Nuk më pëlqen fakti që herën e kaluar kemi marrë dy kartonë vetëm për protesta.

Ndeshjen e sotme duhet të jemi agresivë që nga fillimi dhe s’duhet të marrim kartonë. Edhe pse lojtarët kanë kartonë të verdhë, ata sërish do të luajnë fort dhe, duke ditur se fusha është e vogël, duhet të luftojmë për të fituar. Do të ketë disa ndryshime në formacion, në krahasim me ndeshjen përballë Luftëtarit. Si trajner, vëzhgoj dhe, kur shoh që diçka nuk shkon, bëj ndryshime, edhe pse në sulm nuk kam shumë alternativa. Duhet të shohim pak në sulm, pasi nuk kemi shumë mundësi. Guri në Kombëtare? Sa i përket zgjedhjes së trajnerit Panucci nuk më takon shumë të flas, pasi ai ështe trjaner i Kombëtares, por Guri po tregon në ndeshjet e fundit se është sulmuesi më i rrezikshëm. Shpresoj ta mbajë këtë formë dhe të shohim në të ardhmen, nëse mund të jetë pjesë e ekipit kombëtar. Mendoj që ka ecuri dhe shpresoj ta mbajë ritmin. Në stërvitje shoh që ka përqendrim maksimal”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat