“Po i shkaktojmë probleme reale”, Sarri kënaqet me presionin mbi Juven

Futboll

“Po i shkaktojmë probleme reale”, Sarri kënaqet me presionin mbi Juven

Më: 19 mars 2018 Në ora: 12:26
Maurizio Sarri

Maurizio Sarri beson se Napoli po i shkakton “probleme të vërteta” Juventusit, edhe pse pranoi se të parakalonte kampionët italianë do të jetë shumë e vështirë, pavarësisht ngushtimit me dy pikë të distancës me kryesuesit aktualë të Seria A. Napoli i rriti shanset për “Scudetto” me një fitore të vështirë 1-0 kundër Genoa, të dielën, teksa Raul Albiol shënoi golin e fitores. Duke kërkuar titullin e parë të Seria A që nga edicioni 1989-1990, Napoli shfrytëzoi mundësinë për të pakësuar epërsinë e Juventusit në majë të tabelës së klasifikimit, pasi lojtarët e Massimiliano Allegrit u ndalën në një barazim shokues nga SPAL, të shtunën. “Në këtë fazë të sezonit të kaluar, Juventusi në thelb tashmë e kishte fituar titullin, kështu që kjo do të thotë se ne po u shkaktojmë probleme reale, – tha Sarri për “Mediaset Premium”. – Do të jetë shumë e vështirë”.

Vetëm dy pikë i ndajnë Juven dhe Napolin, me nëntë ndeshje të mbetura në kampionat, të cilat përfshijnë një përplasje direkte në Torino, më 22 prill. I pyetur nëse shpresat e Napolit mbesin në duart e bardhezinjve, Sarri u përgjigj: “Është e vështirë ta thuash. Në qoftë se do të kisha mundësi, do të kapnim kreun dhe do ta merrnim përsëri pushtetin. Por, ne mund të përpiqemi të bëjmë sa më shumë që të jetë e mundur. Ky është tashmë sezoni i dytë më i mirë në historinë e Napolit, në aspektin e pikëve, kështu që do të vazhdojmë të shtyjmë sa të kemi fuqi”.

Nga ana e tij, golashënuesi Albiol shtoi: “Ne duam të përpiqemi deri në fund dhe të mbajmë gjallë shanset tona. E dimë se Juventusi është i fortë, por dhe ne po punojmë shumë për të konkurruar me të. Duhet t’i fitojmë të nëntë ndeshjet e mbetura të kampionatit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat