Panucci: S’më duhen lojtarë pa bythë në kombëtare. Kush më refuzon, kurrë më…

Futboll

Panucci: S’më duhen lojtarë pa bythë në kombëtare. Kush më refuzon, kurrë më…

Më: 19 mars 2018 Në ora: 13:11
Christian Panucci

Christian Panucci, trajneri i kombëtares kuqezi, ka dalë sot në një konferencë për shtyp, ku ka folur për shumë gjëra, në prag të miqësores me Norvegjinë, e cila do të luhet më 26 mars në “Elbasan Arena”. Ai u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Në çdo skuadër, kapiteni bën lidhjen mes stafit teknik dhe lojtarëve. Pse u shmang Agolli për këtë ndeshje të radhës?

Në shtator, Agolli bën 36 vjeç, pra në momentin që fillojn eliminatoret zyrtare. Do të mendojmë më gjatë për sa i përket pozicionit të tij dhe zëvendësuesit, i kondicionuar nga mosha. Kam folur me Agollin dhe i kam thënë që, nëse do të kem nevojë, do ta kem në konsideratë. Duhet të jem shumë i qartë në atë që përcjell. Mbush 36 vjeç në shtator, kur fillojnë këto eliminatore, dhe 38 vjeç, kur fillojnë eliminatoret e Botërorit. Këtë ia kam bërë të qartë edhe Agollit, dua t’ua bëj të qartë edhe juve. Agolli është një profesionist i madh, do doja ta kisha trajnuar kur ishte 28 vjeç. Tani kam një obligim për të kërkuar diçka tjetër, sepse mosha në futboll e bën të vetën.

Atëherë, cili do të jetë kapiteni?
Ditën që u prezantova si trajner, e mbani mend çfarë ju thashë. Eshtë shumë e thjeshtë për të kuptuar se kush ka më shumë prezenca në ekipin kombëtar, ai do të jetë kapiteni. Nga ata 11 lojtarë që do të zbresin në fushë, kapiten do të jetë ai që ka më shumë ndeshje. Do të duhet të prisni se kush do të luajë të hënën e ardhshme dhe llogaritë i bëni vetë se cili do të jetë kapiteni ndaj Norvegjisë.

Ky do të jetë grupi i eliminatoreve, apo priten të tjera afrime?
Grupi është duke u formuar dhe besoj e keni kuptuar. Natyrisht që deri në qershor do të provoj lojtarë 26-28 vjeç, që do të jenë baza. E kam vendosur pak a shumë, por do të kemi edhe lojtarë të tjerë. Sadikun e njoh, por them se është problem, sepse po luan pak në klubin e tij. Do të punojmë fizikisht me të. Kemi në sulm Cikalleshin dhe Balajn, me karaktersitika të ndryshme me njëri-tjetrin. Guri? Ishte e drejtë të grumbulloja Sadikun, pasi kombëtarja është një mundësi më shumë dhe një stimul, siç bëra me Alijin më parë. Sadiku, që nga janari, ka luajtur vetëm 30% të ndeshjeve, por është i mirë në zonë, prandaj na duhej.

E keni zgjeruar vështrimin tuaj si trajner edhe në Superiore …
Jam trajner i kombëtares së këtij vendi dhe natyrisht që e ndjek edhe kampionatin shqiptar. Abazaj dhe Gavazaj më pëlqejnë, sepse janë lojtarët e duhur për mënyrën tonë të të luajturit. Ata janë lojtarë shumë të mirë një kundër një. Po luajnë shumë mirë, prandaj e meritonin një çmim. Tani duhet parë si do të luajnë me kombëtaren. Kush bën mirë në kampionat, e grumbulloj në kombëtare, nuk kam asnjë kompleks.

Diçka më shumë për rastin e Andi Lilës…
Nuk ka kualitetet e Lilajt dhe Ramadanit, por është i fortë. Kam kërkuar të bëj një miks futbollistësh në këtë grumbullim. Lojtarët si Lila janë shumë të rëndësishëm për ne në 30 minutat, sepse kam konstatuar se biem fizikisht. 

Çfarë ndodhi me Zhegrovën?
Kemi biseduar me lojtarin. Ishte i gatshëm të vinte me Shqipërinë. Në momente të tilla, prindërit në shumë raste janë shkatërrimi i fëmijëve të tyre edhe si lojtarë. Kaq dhe pikë.

Po Bujar Lika?
Ai luan te Grasshopers nga fillimi i vitit. E kam ndjekur gjatë këtyre dy muajve, pothuajse ka qenë titullar në ekipin e tij. Kam grumbulluar edhe Balliun shpesh. Në rastin konkret vendosa të lë në shpi Balliun dhe të thërras Likën. Pastaj do të shohim si do të procedohet me grupin më tej.

Keni pothuajse 40-50 lojtarë si alternativa. Më mirë për ju si trajner?
Do më pëlqente të kisha 50 lojtarë shumë të mirë. Sa më shumë lojtarë të mirë të kem, aq më pak mundësi për të gabuar më mbetet si trajner. Pavarësisht simpative dhe antipative për fytyrën dhe fizikun e njërit apo tjetrit, do të zgjedh më të mirët e më të mirëve. Kësisoji, është më e paktë mundësia e gabimeve.

Çfarë do të kërkoni në miqësoren me Norvegjinë?
Do të më pëlqente të fitoja, pa diskutim, sepse ky fakt përbën një stimul edhe për lojtarët. Kam grumbulluar katër-pesë lojtarën të rinj për t’i parë në stërvitje dhe për të parë nëse cilësia e stërvitjes së tyre është rritur. Mendova në fillim se kishim më pak kualitete. Lilaj, Ramadani, Gavazaj dhe Lika e rrisin cilësinë e grupit.

Cili është bashkëpunimi me Bushin, sepse u duk paksa i mërzitur që ia morët Abazajn para dy kualifikueseve me Sllovakinë?
Eshtë një bashkëpunim i shkëlqyer me Bushin për ekipin kombëtar. Si federatë duhet të jemi të lumtur që ka furnizim për ekipin e parë kombëtar. Ramadani ishte i ftuar edhe në Turqi, ndërsa Abazajn e kam ftuar në momentet e fundit, sepse dua ta shikoj nga afër. Tashmë kam obligimin për t’i parë të gjithë, sepse në shtator fillojnë eliminatoret.

Ku keni nevojë për përforcime me lojtarë të rinj?
18-20 lojtarët bazë i kemi zgjedhur. Problem për momentin është zëvendësuesi i Agollit. Fjala vjen, në vendin e Agollit kemi alternativa të tilla si Memolla, Aliji, Lenjani, Lila. Më duhet të rriskoj për të gjetur zëvendësuesin e tij në eliminatore. Shumë lojtarë nuk luajnë me ekipet e tyre. Zgjodha të luanim vetëm një ndeshje miqësore, për të pasur më shumë kohë stërvitjeje me lojtarët, sepse Sadiku, Latifi, Mavraj, Cikalleshi, Balaj kanë minutazh të shkurtër aktivizimi, ndaj duhet kohë për t’i stërvitur.

Si do ta zgjidhni këtë problem?
Fakti është se ato u përkasin klubeve ku luajnë. Duhet të stërviten mirë atje, të mundohen të luajnë sa më shumë. Nëse u referohemi eliminatoreve, nuk kam kohë për t’i stërvitur, ndaj u mbetet atyre për të bërë më shumë.

A është mbyllur cikli i kërkimit të lojtarëve?
Shpresoj që jo. Dua të thërras sërish lojtarë të rinj. Mungon ndonjë prej tyre. Veseli i dëmtuar, Abrashi po ashtu. Ndonjë tjetër nuk ka dashur të vijë në kombëtare. Nuk tërhiqem, jam i bindur se me këtë grup mund të bëjmë shumë mirë për të shkuar në Europian. Edhe me këtë kontigjent jemi në rregull.

Strakosha apo Berisha titullar në portë?
E bukur të zgjedhësh kur je në nivel të lartë. Kam një ide timen. Tri ndeshjet në vazhdim, para se të fillojnë aliminatoret, do të përpiqem t’i alternoj, t’i shikoj në veprim. Berisha luajti në Turqi, sepse Strakosha nuk ishte mirë fizikisht dhe u largua. Në këtë pozicion jam i qetë.

Cili lojtar iu ka refuzuar?
Emrat nuk mund të jepen. Rasti i Zhegrovës. Në fillim tha po, pastaj ndërroi mendje. Nuk është e drejtë të përcjellim emra edhe për statusin e tyre idndividual. Duhet respektuar zgjedhja e tyre. Do të vazhdoj me këta lojtarë që kam. Janë djem dhe futbollistë të shkqëlqyer. Nëse dikush më thotë jo një herë për në kombëtare, nuk vjen më kurrë sa të jem unë trajner.

A do t’i shikojmë futbollistët që refuzuan Shqipërinë shumë shpejt në kombëtaret e tjera?
Ata nuk kanë bythë të bëjnë zgjedhje. Pyesin familjarët, më pas vendosin.  Nuk më duhen lojtarë, të cilët nuk kanë bythë të luajnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat